Kuvend/ Pr-rezoluta e PS kundër raportit të Dick Marty, Balla: I paprovuar dhe i pabazuar në prova

Projektrezoluta e Partisë Socialiste kundër raportit të Dick Marty për luftën në Kosovë, po diskutohet në seancën plenare të kësaj të enjte. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialistem teksa prezantoi këtë projektrezolutë, u shpreh se pretendimet e ngritura në raportin e Dick Marty mbeten të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe se synimi është t’i kërkohet Asamblesë Parlamentare të PE, te realizojë një raport vijues dhe rishikim të rezolutës së vitit 2011, duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të organeve në Shqipëri dhe Kosovë.
“Hetimet e thelluara nga task forca e BE dhe zyra e prokurorit të specializuar, pretendimet e ngritura në raportin e Dick Marty, për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre në Shqipëri apo Kosovë, të përfshira në rezolutë, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte edhe duhet të konsiderohen si të tilla nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare. Si rezultat kemi prezantuar para Kuvendit këtë rezolutë. Synimi është t’i kërkojmë asamblesë parlamentare të PE, te realizojë një raport vijues dhe për pasojë rishikim të rezolutës së vitit 2011, duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të organeve në Shqipëri dhe Kosovë. Ripërsërisim thirrjen për të gjithë të interesuarit. Jam i bindur që kjo rezolutë do ketë mbështetjen e gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë”, tha Balla.
Projekt-rezoluta “Mbi bazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë e Shqipëri”, e firmosur nga 11 deputetë socialistë, u dorëzuar në Kuvend më 18 korrik, ku kërkohet të konsiderohen të paargumentuara pretendimet e ngritura nga raporti i Dick Marty-t “për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë” nga drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




