Berisha: Jam armik i Ramës, jo i socialistëve

Nga Durrësi, ku zhvilloi një takim politik, Sali Berisha ka vënë sërish në epiqendër të akuzave të tij kryeministrin, Edi Rama, për të cilën jo vetëm ka ritheksuar se e ka “armik”, por e ka përkufizuar edhe si “fatkeqësi të madhe”. Sipas tij, Rama ngriti sot flamurin e BE-së para Kryeministrisë, por ishte fatkeqësi.
“Ai flamur është flamur vlerash, i vlerave, i thesareve kulturore në radhë të parë të paçmuara, është flamur i vlerave njerëzore të lidhura me lirinë. E vërteta është që, fatkeqësi më të madhe për atë flamur se ta mbante sot në dorë Edi Rama nuk kishte. E kam deklaruar në 7 korrik, armik, e kam thënë me bindjen më absolute, është armik sepse nuk lejon shqiptarët të votojnë. Liria votën ka. Nëse nuk ke votën, nuk ke liri, nuk ke dinjitetin. Edhe pushtuesit të lejonin të votoje, por të caktonin një përfaqësues të pushtuesit. Ky faktikisht pasi shkelmoi votën e shqiptarëve e përzuri nga PS. Nuk i konsideroj socialistët armiq, konsideroj Edi Ramën sepse dhe atyre ua hoqi votën”,- tha Berisha në fjalën e tij.
Lidhur me Konferencën e Parë Ndërqeveritare, Berisha u shpreh se do të shkonte në Bruksel nëse do ftohej nga Rama, por nuk do të shtrëngonte dorën me të, pasi, sipas tij, “Rama shkoi në Bruksel si monist, njëlloj sikur të shkonin paraardhësit e tij”.
“Nga viti ’86, qeveria hungareze dhe qeveria rumune, zhvillojnë tratativa të fshehta me Brukselin për t’i pranuar në BE. Brukseli u përgjigj, jo, tha, ju nuk mund të pranoheni sepse jeni në sferën e Bashkimit Sovjetik. I vetmi vend, e thanë në konfidencë, nga ish-komunistët që mund të pranohet është Shqipëria…por Shqipëria ishte armik me të gjithë botën. Nuk ka dyshim që ky shkoi si monist në Bruksel. Ndaj unë e kam shpallur atë armik të lirisë së shqiptarëve.
Natyrisht, po të ftonte do shkoja. Por ta harrojë se do të kishte shtrëngim duarsh me mua. Nuk mund të ndodhte kurrë ajo. Do të shkoja për të përfaqësuar ju, aspiratat demokratike të shqiptarëve. Pra, shkoi si monist, u kthye si monist. Natyrisht me dosjen në shpinë të inceneratorëve, me dosjen e Portit të Durrësit”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




