Shqyrtimi i legjislacionit BE-Shqipëri, Varhelyi: Të ecet me ritme të shpejta, do prekim çështje të përditshme

Politikë | 4 vite më parë

Pas çeljes së negociatave është zhvilluar dhe mbledhja mes delegacioneve të BE dhe Shqipërisë për procesin e shqyrtimit të legjislacionit (Screening) mes Shqipërisë dhe BE për çdo kapitull në mënyrë që të përshtate me atë të Unionit Europian. Në takim ishin të pranishëm ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe kryenegociatori Zef Maz, ndërsa fjala hapëse u mbajt nga komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Teksa i uroi Shqipërisë një rrugë të mbarë deri në anëtarësimin e plotë, Varhelyi kërkoi që të ecet me ritme të shpejta në përparimin me reformat dhe përshtatjen e legjislacionit me të BE që do të prek shumë fusha, që nga tregtia e transporti deri tek cilësia e jetës, ajrit dhe siguria ushqimore.

“Kemi pritur për kohë të gjatë. Kemi një mjet të rëndësishëm për metodologjinë e rishikimit që mund ta nxisë këtë projekt me shpejtësi për ta bërë më të besueshëm, më dinamik. Ky proces shqyrtimi që fillojmë sot është hapi i parë dhe ne duam të ecim në mënyrë graduale. Ky sistem është një nga elementet kryesorë, siç është grupimi i kapitujve. Vitet e kaluara kemi dhënë këshillim mbi financat dhe zbatimin e politikave dhe legjislacionit të BE, kemi raportuar mbi reformat. Procesi që fillojmë sot është për të gjithë punën e mirë që kemi bërë së bashku dhe dua t’ju falënderoj për atë që keni bërë për rrugën tuaj drejt BE. Le të fillojmë duke thënë se ky proces është mundësi e mirë për ju që të bëjë një vetëvlerësim të politikave dhe legjislacionit për të parë sa afër jeni me standardet e BE në çdo fushë. Dialogun bilateral që do të jetë thelbi i diskutimeve tona dhe do na sjellë afër drejt qëllimit të përbashkët të anëtarësimit tuaj. Do prekim çështje të ditës, cilësinë e ajrit, ushqimit, ujit, kapacitetin e sektorit shëndetësor, mbrojtjen e të dhënave personale. Procesi i anëtarësimit është transformues dhe një kuptim i përbashkët. E gjitha kjo do të vijojë në rrugë e sipër. Do të kemi investime në tregti siç është transporti që do të ketë mundësi të reja për bizneset. Procesi i anëtarësimit do të shihet dhe si program reforme. Më lejoni t’ju uroj punë të mbarë e të shpejtë”, tha Varhelyi.

Po çfarë është Screening? Ky proces bën një ekzaminim të detajuar nga KE së bashku me vendin kandidat për secilin kapitull për të përcaktuar sa është përgatitur vendi në këtë fushë. Gjetjet për çdo kapitull, Komisioni ia paraqet vendeve anëtare në formën e një raporti analizues me rekomandime që duhet të arrihen nga Shqipëria.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme