Negociatat, Varhelyi: Fazë e re transformuese! Rama: BE kërkesë të kahershme për ndëshkimin e gjyqtarëve të korruptuar

“Një fazë e re transformuese”, kështu e konsideroi Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi rrugëtimin e Shqipërisë pas hapjes ë negociatave. Në Konferencën për shtyp, Varhelyi u shpreh se negociatat do ketë ndikim pozitiv te ekonomia, shoqëria duke i bërë thirrje të gjitha palëve në vend që të bëhen pjesë e këtij procesi.
“Ky vendim historik dërgon një sinjal të fortë drejt BP dhe më tej, konfirmon rëndësinë e politikës së zgjerimit të BE. 8 vite pas statusit të vendit kandidat, sot shënohet fillimi i një rrugëtimi të ri. Mesazhi im për qytetarët shqiptarë është i thjeshtë: ne duam që ju të jeni pjesë e familjes europiane. Nga sot e tutje do injektojmë në negociata me Shqipërinë më shumë besueshmëri dhe shtytje politike të qartë. Në këtë rrugëtim Shqipëria mund të mbështete te Komisioni. Do të vijojmë të bëjmë çështë e mundur për të përshpejtuar hapat në këtë proces, sot pasdite do të nisim me kuadrin ligjor europian që është hapi i parë. Do të lejojë njehësimin e tërë çështjeve madhore që duhet ët adresohen. Jam besimplotë se Shqipëria është e vendosur t’i bashkohet BE dhe që të punojë fort për këtë. Në këtë udhëtim na duhen të tërë që janë në Shqipëri për t’i bërë këto negociata. Negociatat kanë një natyrë transformuese dhe do të prekin përditshmërinë e qytetarit shqiptar. Do ketë ndikim pozitiv te ekonomia, shoqëria dh ena duhet që gjithsecili të bëhet pjesë e këtij procesi. Rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE sapo ka nisur dhe jemi gati të punojmë për ta bërë këtë të mundur sa më shpejt”, u shpreh ai.
Kryeministri Edi Rama, i pyetur nga gazetarja e RTSH, Denada Shkodrani nëse do të jetë kërkesë e BE ndëshkimi i gjykatësve të korruptuar, u shpreh se kjo ka qenë kërkesë e kahershme e tyre.
“Kërkesa për të hapur procese dhe për të ndëshkuar gjykatës e prokurorë që janë përjashtuar nga vetingu për pasuri të pajustifikuara është kërkesë e kahershme e BE dhe është e natyrshme që në këtë rast është në sinkron me kërkesën e natyrshme të popullit shqiptar që e mbështeti reformën në drejtësi. Besoj se tani e kam mësuar si funksionon BE, KE dhe sesi çdo gjë e shkruar është pjesë e memories së Komisionit dhe çfarë thuhet sot nuk harrohet nesër, po përsëritet deri sa të bëhet. Negociatat për anëtarësim janë në vetvete një instrument transformimi i përditshëm. Çdo hap në negociata përbën një vlerë të shtuar dhe një mundësi të re për të çuar përpara të gjithë aspektet e jetës së vendit”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër, Varhelyi u përgjigj se sipas metodologjisë së re do të fillojë puna pikërisht me fushën e shtetit ligjor, duke theksuar se nuk kanë për t’u zmbrapsur nga kërkesat e tyre.
“Po sipas metodologjisë së re, do fillojmë të punojmë me fushën e shtetit ligjor dhe gjendja e gjyqësorit do diskutohet, por ne nuk kemi për t’u prapsur në kërkesat tona dhe duhet të ketë prova që ka raste që duhen zgjidhur dhe këto duhen zgjidhur”, theksoi Varhelyi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




