Inceneratorët, Kryemadhi: Padi shtesë në SPAK për 24 kompanitë fiktive që kanë kryer evazion fiskal

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka denoncuar sërish sot kompanitë fiktive që kanë kryer evazion fiskal e që, sipas saj, janë të lidhura me kompanitë e inceneratorëve.
Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi u shpreh se kompanitë koncesionare dhe kompanitë fiktive kanë kryer krime financiare që kapin vlerën e 30 milionë dollarëve. Ajo shtoi se LSI ka depozituar sot në SPAK një kallëzim shtesë dhe se në total janë depozituar 3641 faqe dokumentacion, që përfshijnë librat e shitjes dhe të blerjes të 24 kompanive fiktive.
Kryemadhi akuzoi kryeministrin Edi Rama si “kokën e aferës së inceneratorëve”, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
“LSI ka evidentuar se kompanitë koncesionare dhe kompanitë fiktive të lidhura me to, kanë kryer të paktën 3 vepra penale dhe konkretisht: Fshehja e të ardhurave. Mospagimi i Taksave dhe Tatimeve. Pastrimi i Produkteve të veprës penale ose veprimtarise kriminale. Vlera totale e këtyre krimeve financiare të lidhura me inceneratorët, me aq sa ne kemi evidentuar, kap vlerën 30 milionë dollarë. Dhe prej ditës së sotme, përmes shtesës së kallëzimit që kam nisur në drejtim të saj, Prokuroria Speciale Anti Korrupsion, ka në dispozicion çdo dokument, që i provon këto krime. Janë në total 3641 faqe dokumentacion, që përfshijnë librat e shitjes dhe të blerjes të 24 kompanive fiktive. Kompanitë që prezumohet se do të ofrojnë shërbime ose punime, janë të krijuara posacërisht për të justifikuar kostot e fryra të punimeve, përfitimin e TVSH-së dhe kanë shërbyer gjithashtu për reduktimin e tatim fitimit nga ana e kompanisë Integrated Technology Services të Klodian Zotos, e cila është nënkontraktori kryesor i të tre koncesioneve të inceneratorëve, i ngarkuar me detyrën për të ndërtuar inceneratorët. Dhe, ndërsa 30 milionë dollarë është vlera e evazionit fiskal në lidhje me 3 koncesionet e inceneratorëve, në përfundim të analizës financiare të këtyre kompanive fiktive, LSI ka evidentuar dhe i ka dërguar materialet ne SPAK, që faktojnë se këto kompani, janë përgjegjëse për një evazion fiskal më të madh, që në total kap vlerën e 189 milionë dollarë. Duke patur si përfitues të drejtpërdrejtë kompanitë që kanë përfituar tenderat, koncesionet, punët publike më të mëdha që qeveria e kryeministrit Rama ka dhënë këto vite. Ndjekja e parasë dhe aktiviteti financiar i këtyre kompanive, sesi ato kanë vepruar në bashkëpunim me kompanitë e koncesioneve, të çon drejtpërdrejtë tek koka e aferës së inceneratorëve dhe e koncesioneve korruptive, që është kryeministri Rama”, tha Kryemadhi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




