Çmimet e karburanteve, PD: Bordi i Transparencës bashkëpunëtor në vjedhjen e qytetarëve, të tërhiqen

Politikë | 4 vite më parë

Partia demokratike ka reaguar lidhur me çmimet e karburanteve të vendosura nga Bordi i Transparencës ku së fundmi ka ulur naftën me 2 lekë. Në një dalie për mediat deputeti Aldo Bumçi akuzon Bordin e transparencës si bashkëpunëtor në vjedhje dhe në varfërimin e shqiptarëve.

Për PD ky bord nuk ka asnjë funksion veçse shfajësimin e qeverisë për abuzimet me çmimet e larta të hidrokarburve. Ndaj PD i bën thirrje anëtarëve të bordit të tërhiqen, pasi po tallen me shqipëtarët.

‘Bordi i Transparencës e ka ulur çmimin e naftës në vend nga 240 në 238 lekë për litër. Dylekëshi i bordmenëve të qeverisë dhe oligarkisë nuk është ulje, por një shuplakë për konsumatorin shqiptar. Në bursën ndërkombëtare nafta ka shkuar në 95 dollarë për fuçi. Kjo rënie globale nuk duket askund në çmimin e Bordit të Transparencës. Të vetmet raste kur çmimet në Shqipëri lëvizin, është kur nafta në tregjet ndërkombëtare rritet.  Standardi i përdorur nga grosistët, i lejuar dhe bekuar nga qeveria, është tregues i talljes dhe babëzisë me qytetarin. 

Partia Demokratike bën thirrje edhe njëherë që bordet të tërhiqen, duke mos i dhënë rast Edi Ramës t’i përdorë si mekanizëm propagande. Bordet nuk shërbejnë për gjë tjetër, veç si shfajësim i qeverisë për abuzimet me çmimet e larta të hidrokarburve.

Çdo ditë që kalon e bën Bordin e transparencës bashkëpunëtor në vjedhje dhe në varfërimin e shqiptarëve. Mosreflektimi i uljes së naftës në bursa në tabelat e çmimeve të karburanteve në vend, është shenjë se Bordi nuk bën transparencë, por shërben si gjethe fiku. 

Nuk i mbron qytetarët, por sajdis qeverinë dhe oborrin e biznesit kryeministror. Me naftën, ushqimet, pasigurinë e jetës dhe humbjen e shpresës, Shqipëria është një vend në rrezik. Nuk duhet të largohen shqiptarët nga vendi, por rreziku.’- tha Bumçi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme