Deputeti gjerman: Javës tjetër mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare! Balla: Presim përgjigjen e Maqedonisë së Veriut për planin francez

Politikë | 4 vite më parë

Gjermani mbështet integrimin e Shqipërisë dhe se BE duhet të mbajë premtimet e veta. Ky ishte mesazhi i përcjellë në konferencë  e përbashkët mes deputetit të Bundestagut, Adis Ahmetoviç dhe kreut të grupit të PS, Taulant Balla në Tiranë. Teksa Balla tha se diskutimi u fokusua në çështjet me interes të dyanshme, deputeti gjerman tha se Gjermania, por edhe BE, po punojnë fort që javën e ardhshme Shqipërisë t’i hapen negociatat, ashtu siç po punohet edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Është nderë i madh që ndodhem sot në Tiranë. Është hera e parë për mua. Falënderoj Kuvendin e Shqipërisë që ishte pranë Ukrainës, duke treguar qartë qëndrimin kundër Rusisë. Duke dhënë një qëndrim dhe sinjal të qartë për pozicionin evropian në këtë çështje. Ne si qeveri e re gjermane dhe si parti socialdemokrate, e shohim këtë vend si anëtar të BE. Para tre javësh patëm një konferencë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Jam edhe vetë kritik. Kishim një rast historik që t’i jepnim Kosovës liberalizimin e vizave, të mbështesim Maqedoninë e Veriut dhe sidomos Shqipërinë për hapjen e negociatave, si dhe për të ndihmuar Malin e Zi të mbyllë të gjithë kapitujt, por ne e humbëm këtë shans. Ne si Gjermani do të punojmë që javën e ardhshme Shqipëria të mund të nisë negociatat. Ju të gjithë e meritoni të jeni pjesë e BE. Mendoj se Shqipëria mund të sjellë shumë dinamikë në BE, ndaj dhe ju keni mbështetjen tonë. Më besoni që po punojmë fort për këtë. Nesër, pas një dite të gjatë në Shqipëri, do të vizitoj dhe Maqedoninë e Veriut, për të mbështetur qeverinë dhe për t’i bindur ata që të arrijnë një kompromis. Neve na duhet Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në BE. Ne duam të punojmë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Shumë njerëz nga Kosova po e shohin këtë konferencë dhe dua t’iu çoj një sinjal të qartë atyre se ne po punojmë për vizat. Siç Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo edhe Kosova kanë bërë detyrat e tyre, edhe ne duhet të bëjmë detyrat tona. Për procesin e Berlinit, ne duam që të nisë këtë vit edhe një proces ekonomik, jo vetëm politik”, tha deputeti gjerman.

Balla tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, të hënën dhe të martën.

“Në Këshillin Europian përgatitjet janë gati për të hënën dhe të martën që të mbahet konferenca. Unë thash me shpresë që brenda kësaj jave një prej detyrave të shtëpisë të planit francez për Maqedoninë e Veriut të përmbushet dhe thirrja ime është që ky parakusht të plotësohet. Gjithmonë ne shqiptarët kemi një fjalë që shpresa vdes e fundit. Ftesa më shumë është për opozitën e RMV që të mbështesin marrjen në kohë të këtij vendimi .Jetojmë në një moment të vështirë në Europë dhe ky kontekst i ri kërkon vendimmarrje të rëndësishme dhe kjo është arsyeja pse Scholz ka qenë i qartë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të BE të Ballkanit. Ne nuk duam as veto dhe as të pengojmë anëtarësimin e vendeve të tjera , por siç vepruam unison me sanksione kundër Rusisë kështu duhet të veprojmë edhe për këtë proces. Edhe Kosova edhe Bosnja Hercegovina duhet të marrin statusin e vendit kandidat. Nuk mund të presim më. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk mund të presë më…Krahas mbajtjes së Konferencës së Parë qeveritare me RMV dhe Shqipëria BE të marrë vendim që brenda vitit Kosovës t’i liberalizohen vizat”, tha Balla.

Balla foli edhe për nismën Ballkani i Hapur që mundëson liritë e BE në rajon.

“Kemi diskutuar për shumë çështje të interesit të dyanshëm, dhe vlerësojmë shumë procesin e Berlinit si proces që ka ndikuar pozitivisht , sikurse në vlerësimin tonë Ballkani i Hapur është instrumenti i duhur dhe ka dhënë rezultate konkrete në ndihmë të sipërmarrësve dhe qytetarëve në rajonin tonë. Kujtoj që kancelari gjerman është i qartë në vazhdimin e procesit të Berlinit dhe ka në prioritet edhe procesin e anëtarësimit të Ballkanit”, tha Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme