Integrimi i Ballkanit/ Borrell: Do hapim këshill dhe organe këshillimore për të forcuar lidhjen e BE me rajonin

Edhe pse samiti i BE në fund të qershorit nuk prodhoi asgjë për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përfaqësuesi i politikës së Jashtme në BE, Joseph Borrell tha se progresi që po bëhet me reformat do të çojnë në integrimin më të ngushtë të rajonit me familjen evropiane.
Borrell tha se futjen graduale në tregun e BE-së do të sjellë zhvillim ekonomik për qytetarët, ndërsa lidhja më e ngushtë me partnerët do të bëhet përmes ftesave të vendeve të rajonit në Këshillin për Punët e Jashtme dhe hapja e organeve të tjera këshillimore.
“Ne jemi të përkushtuar për përmirësimin e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj të fortë politike, teknike dhe financiare për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i ndihmuar ata të avancojnë reformat kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike që janë të nevojshme për përparimin në rrugën drejt BE-së. Progresi në prioritetet e reformës duhet të çojë në integrimin më të ngushtë të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, punën për integrimin e përshpejtuar dhe “futjen graduale” në politikat individuale, programet dhe tregun e BE-së. Kjo do të sjellë zhvillim solid dhe të përshpejtuar ekonomik dhe përfitime të prekshme për qytetarët. Ka masa shtesë konkrete që mund të ndërmerren për t’u lidhur më ngushtë me partnerët tanë, si ftesa e ministrave të jashtëm në Këshillin për Punët e Jashtme dhe hapja e organeve të tjera këshillimore për partnerët tanë në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë si mysafirë të rregullt. Sa i përket anëtarësimit në BE, vendet anëtare vazhdojnë të vendosin unanimisht për hapat e ardhshëm në proces”, tha Borrell për median malazeze Vijesti.
Ai foli edhe për “Ballkanin e Hapu”, i cili e konsideroi një nisëm të mirë për të forcuan tregun e përbashkët rajonal. Borrell tha se BE do të sjellë investime për rajonin dhe se i takon vendeve që t’i përdorin ato në mënyrën më të mirë duke krijuar tregun e përbashkët rajonal.
“Angazhimi i liderëve për bashkëpunimin rajonal është një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim Asociimit. E kuptoj plotësisht dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të bëjë përparim në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, që është një angazhim politik i bërë nga gjashtë liderët e rajonit në samitin në Sofje. Nëpërmjet Planit Ekonomik dhe Investimeve, ne po sjellim mundësi të konsiderueshme investimi në rajon. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke realizuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke krijuar një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së”, tha Borrell.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




