“Rinovim patente çdo 15 vite”, Balla: Kufizim shpejtësie për shoferët e rinj, në autostradë të shkojë 130 km/h

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në fjalën e tij në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese lidhur me propozimin e tij “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar se vlefshmëria e lejes së drejtimit nga 10 vite, duhet të shkojë në 15 vite.
Po ashtu, Balla ka bërë me dije se do vendoset një kufizim shpejtësie për shoferët e rij që në 3 vitet e para të marrjes së patentës të ecin me 80 kilomentra në orë. Kreu i grupit parlamentar socialist tha se ka rënë numri i specialistëve për makineri të caktuara, e në këtë kuadër, ai propozoi që të bëhet një spostim moshe nga 65-vjeç në 70-vjeç. Ndër të tjera Balla ka propozuar që në autostrada të shtohet shpejtësia nga 110 deri në 130 km në orë.
“Ndryshimet burojnë nga eksperiencat më të mira të BE dhe në mënyrë të veçantë do specifikoja kodin rrugor të Gjermanisë dhe Italisë. Ka të bëjë me parandalimin më efikas të aksidenteve rrugore dhe përafrimin e limiteve moshore me ato të vendeve anëtare të BE. Legjislacioni shqiptar vendos disa limite. Në kodin aktual shqiptar deri tani vlefshmëria e lejes së drejtimit është 10 vite, në Gjermani është 15 vjet. Mendoj që ne ndihmojmë qytetarin. Nuk e di pse qytetari kur ka marrë patentën të bëjë rifreskim për 10 vite. Ulja e burokracive. Lehtësimi i qytetarëve. Përfituesit janë 80 mijë qytetarë në vit për shkak të uljes së kohës së rinovimit. Janë 3 milionë kilometra rrugë të eleminuara.
Në këndvështrimit tim mendoj që ndryshimet për kufizimet e shpejtësisë për të patentuarit për herë të parë nuk i referohen modelit gjerman, por atij Italian. KE ka filluar procedurat për një direktiv të re për vendosjen e kufizimeve, atë që ne kemi bërë ndërkohë, që të vendosim atë që ka Italia, që 3 vitet e para të kenë një kufizim shpejtësie deri në 80 kilometra. Ne do kemi mundësi që këto kufizime të ulin numrin e aksidenteve rrugore, që kanë për burim të patentuarit për herë të parë.
Numri i atyre që përfitojnë në kategoritë A dhe B që ne kemi limit moshor 65-vjeç dhe duam ta bëjmë 70-vjeç, kemi ruajtur disa kufizime që kanë të bëjnë me llojin e mjeteve për të cilat ruajnë patentat. Cdo ditë po ulet numri i specialistëve në makineri të caktuara, spostimi nga 65-vjeç në 70-vjeç është i nevojshëm duke pasur parasysh që këta lloj specialistësh mund ta bëjnë këtë punë deri në moshën 70-vjeç.
Në Shqipëri ka ardhur momenti që në autostrada të shtohet shpejtësia nga 110 deri në 130 km në orë. Kjo nuk është e përfshirë në propozimet e mia por e hodha si ide që mund të diskutohet dhe pse jo të shtohet, duke e afruar më afër me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Balla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




