Mbledhja e dy qeverive, Çuçi zbulon marrëveshjen: Gjurmojmë personat që i fshihen drejtësisë përmes gjendjes civile

Pjesë e marrëveshjeve që do të firmosen në mbledhjen e përbashkët të dy qeverisë më 20 qershor, mes asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës do të jetë edhe shkëmbimi i informacionit për gjendjen civile, ku kjo do të ndihmojë në kapjen dhe gjurmimin e atyre personave që duan t’i shpëtojnë drejtësie përmes ndryshimit të gjeneraliteteve.
Këtë e zbuloi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë një intervistë për RTK, i cili tha se çdo ndryshim do të shkëmbehet mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Kosovës. Këto informacione sipas Çuçit do u jepen edhe Policisë Kufitare që të gjurmohet një person i caktuar nëse ka bërë një shkelje ose një krim.
“Ministria e Brendshme do të shkojë me tre dokumente për të firmosur në mbledhjen e radhës të të dy qeverive. Kemi një marrëveshje dhe dy protokolle zbatimi marrëveshjesh. Dhe, rregullojnë aspekt së pari shkëmbimin e informacionit, të Gjendjes Civile të të dy vendeve dhe dy protokollet në funksion të dy marrëveshjeve që ne kemi nënshkruar në mbledhjen paraardhëse dhe e kompletojmë të gjithë kuadrin rregullator. Marrëveshja që do të nënshkruajmë është pikërisht për shkëmbim të informacionit që lidhen me ndryshimet e Gjendjes Civile në të dy shteteve. Dhe, që lidhet ekskluzivisht me ndryshime mbiemrash, martesa, vdekje. Pra, çdo gjë që lidhet me Regjistrin e Gjendjes Civile, të kosovarëve që janë martuar apo kosovareve që janë martuar në Shqipëri ose të shqiptarëve dhe të shqiptareve që janë martuar në Kosovë. Kjo është e domosdoshme sepse në shumë raste duke qenë dy shtete të ndryshme, ende, ka pasur edhe tentativa për t’iu fshehur qoftë edhe drejtësisë, duke u martuar, duke ndryshuar mbiemrin qoftë ndonjë burrë apo grua në Shqipëri apo në Kosovë përkatësisht. Pra, duke marrë mbiemrin e burrit apo të gruas në mënyrë që t’i shmangen disa detyrimeve që kanë me drejtësinë në vendet përkatëse. Në mënyrë periodike nëpërmjet kësaj marrëveshjeje çdo shtetas i Kosovës, qoftë i Shqipërisë dhe i Kosovës njëkohësisht, i cili bën një ndryshim në Gjendjen Civile dhe që jeton në Shqipëri, ne do ta lajmërojmë menjëherë atë në Kosovë dhe anasjelltas. Pra, çdo shtetas shqiptar i cili jeton në Kosovë dhe bën një ndryshim të Gjendjes Civile në Kosovë, do të reflektohet menjëherë edhe në Shqipëri. Pak a shumë një gjë që ne e bëjmë brenda Shërbimit tonë të Gjendjes Civile nga bashkia në bashki, do ta bëjmë për këtë kategori shtetasish ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Çuçi.
Ministri Brendshëm foli edhe për bashkëpunimin kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës në luftën kundër krimit dhe trafikut, ku tha se dy vendet janë duke vazhduar disa operacione të përbashkëta
“Për sigurinë kufitare ne gjithmonë e më tepër kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë me shtetin e Kosovës. Kemi rritur ndjeshëm kontrollin dhe sigurinë, madje ndajmë territore të caktuara për ta bërë edhe më eficente punën e Policisë Kufitare ku një pjesë e mbulon Policia e Kosovës dhe një pjesë Policia e Shqipërisë. Çdo marrëveshje që lidhim në fushën e sigurisë kufitare, për sigurinë e kufirit të përbashkët është në funksion të një rritjeje të sigurisë dhe drejt vendimit përfundimtar për ta hequr fare kufirin. Ne kemi patrulla të përbashkëta, gjithmonë e më tepër bëjmë operacione të përbashkëta në polici, qoftë edhe me policitë kriminale”, tha Çuçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




