Rritja e çmimeve, Tabaku: Duhet paketë e re rezistence! Rama: Do heqim taksën për pagat deri 50 mijë lekë

Politikë | 4 vite më parë

Rritja e çmimeve ka përplasur në debate deputeten e PD-së, Jorida Tabaku me kryeministrin Edi Rama. Tabaku akuzoi qeverinë se nuk ka menaxhuar krizën si duhet. Sipas saj në këto kushte qeveria duhet të kishte rishikuar buxhetin dhe duhet të ofronte një paketë të re rezistence.

“Sot borxhi publik ka shkuar pothuajse treshifror. Retorikën e qeverisë e kemi dëgjuar. Por në kushtet ku jemi, kur faturat e arbitrazhit shkojnë në 385 mln euro, kur detyrimet për kontratat koncesionare zënë 12% të PBB, unë besoj që ky duhet të ishte një shqetësim i jashtëzakonshëm për financat publike, një kambanë alarmi për qeverinë. Qeveria shqiptare duhet të kishte ardhur me buxhet të rishikuar, me paketë të mbrojtjes sociale. Duhet të kishin ndryshuar disa prioritete. Dëgjova me interes faktin që INSTAT ka prodhuar shifra lidhur me punësimin më të lartë ndonjëherë të shqiptarëve, të njëjtat institucione kanë prodhuar shifra për emigracionin më të lartë të shqiptarëve. Sa është forca e punës sot. Nëse Shqipëria zbrazet, është e kotë të thoni që është rritur punësimin se me një Shqipëri të zbrazur vetëm socialistët do punësohen nuk ka kush punësohet tjetër. Shpresoj që guvernatori, disa nga shqetësimet që unë ngrita dhe që i kam diskutuar edhe me të, t’i marrë parasysh, jo se jam opozitë dhe çdo gjë të bardhë dua ta bëj të zezë, jo se s’më pëlqen asgjë, por e shoh me shqetësim të ardhmen e financave publike se Edi Rama sot është po nesër nuk është”, deklaroi Tabaku.

Nga ana tjetër Kryeministri Edi Rama i kërkoi deputetes së PD, Jorida Tabaku fakte teksa kjo e fundit duke folur për situatën ekonomike deklaroi se Shqipëria ka taksat më të ulëta në rajon dhe së shpejti do e zerojmë taksën deri në pagat 50 mijë lekë.

“Shifrat e faktet meritojnë konsensus, pastaj interpretimet janë çështje tjetër. E mora fjalën se dëgjova një shifër nga ato që ju prodhoni, 385 milionë euro fatura e Arbitrazhit. Ku është kjo faturë? Nëse do na e tregonit faktike, jo hamëndje dhe konkluzione të bazuara mbi hamendje, hajde ta diskutojmë por nuk i thoni dot parlamentit dhe publikut që ka faturë 385 milionë euro për arbitrazhe që po e paguan qeveria. Ju bashkarisht keni lajmëruar se po paguhet një marifetçi i madh si ai që e përdorët edhe për të çoroditur njerëzit para zgjedhjeve, unë po ju them që zero, asnjë qindarkë nuk i është paguar as Becchetit dhe askujt tjetër deri tani që flasim. Ndërkohë ballafaqimi vazhdon që të jemi të qartë. Vazhdon në çdo hapësirë ku ka mundësi të zhvillohet një ballafaqim legal, kështu keqardhje për ju zonja Tabaku se ju edhe mbani shumë shënime dhe për një njeri që lexon shumë, të flasë për 385 milionë euro që nuk ekzistojnë është pak e sikletshme. Nuk diskutohet që kemi taksat më të ulëta në rajon, nuk ka në rajon taksë zero për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe së shpejti, brenda pak vitesh do e zerojmë deri në 500 mijë lekë. Nga del këtu që paskemi taksën më të lartë? Kjo mbetet për tu vlerësuar mbi bazën e shifrave”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme