Shuhen ‘përplasjet’ mes tyre, Meta dhe Berisha bëhen bashkë në forumin global në Azerbajxhan

Presidenti Ilir Meta dhe kreu i PD i zgjedhur nga procesi i zhvilluar nga “Rithemelimi”, Sali Berisha marrin pjesë në forumin e 9-të global që zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit. Pas një krisje dhe përplasjeve mes tyre lidhur me lirimin nga detyra të Bajram Begajt si shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA që i hapi rrugë zgjedhjes së tij si president, duket se mes tyre është rikthyer sërish ‘dashuria dhe paqja’.
Ata janë të ftuar në Baku të Azerbajxhanit ku po zhvillohet forumi i 9-të global me temën “Rezistenca globale, bashkëpunimi global”, ku marrin pjesë me qindra personalitete politike nga e gjithë bota. Fokusi i punimeve do të jenë pasojat e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, si dhe hapat që duhen ndërmarrë në një epokë pas pandemisë COVID-19.
Gjatë fjalës së tij në forum, Presidenti Meta shkruan se “të gjitha mendimet dhe idetë e shprehura në forum të shërbejnë për të rënë dakord, nëpërmjet angazhimeve konkrete për të garantuar një të ardhme sa më të mirë për vendet tona”.
Edhe Berisha, i ftuar në këtë forum, e ka shfrytëzuar këtë “si një mundësi e veçantë për t’u paraqitur miqve dhe personaliteteve të pranishëm qëndrimet e Partisë Demokratike për zhvillimet në vend, në rajon dhe në Europe”.
“Përplasja” e Berisha me Metën lindi ku i kërkoi presidentit të mos lironte nga detyra Bajram Begaj si shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, vetëm pak orë pasi të votohej në Kuvend si presidenti i ardhshëm i vendit. Meta nga ana tjetër e firmosi dekretin nga Stambolli ku ndodhej për një vizitë zyrtare. Edhe pse Berisha e cilësoi veprimin e Metës si antikushtetuese, një ditë më pas u “tërhoq” duke thënë se “ka vetëm një qejfmbetje me Metën, por kjo krisje të marrëdhënieve mes tyre”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




