OKB dhe BE në debatin mbi gratë dhe sigurinë në KS, Xhaçka: Të forcohet bashkëpunimi me organizatat rajonale

Shqipëria prej 1 qershorit ka marrë për një muaj Presidencën e Këshillit të Sigurimit në OKB. Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka kryesuar sot debatin e nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi axhendën “Gratë, Paqja dhe Siguria” në New York, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të OKB, OSBE, BE, etj.
Në fjalën e saj, Ministrja Xhaçka vuri theksin te forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimi me organizatat rajonale që zëri i grave të dëgjohet në Këshillin e Sigurimit. “Ne duhet të forcojmë bashkëpunimin dhe koordinimin me organizatat rajonale, zëri i tyre të dëgjohet në Këshillin e Sigurimit. Është koha, që ta çojmë bashkëpunimin tonë me organizatat rajonale në një nivel të ri. Veçanërisht jetik, është ky bashkëpunim në kontekstin e grushteve të fundit ushtarake dhe marrjes së pushtetit me forcë në disa vende, ku kemi qenë dëshmitarë të ndërprerjes së papritur të angazhimeve kombëtare për agjendën ‘Gratë, Paqja dhe Siguria’, u shpreh Xhaçka.
Sekretari i Përgjishëm i Kombëve të Bashkuara Antonio Guterres në fjalën e tij, deklaroi se konfliktet e fundit që po ndodhin në botë dhe krizat e përshkallëzuara, po përforcojnë pabarazinë gjinore. “Konflikti i sotëm po përforcon pabarazinë gjinore dhe forma të tjera të pabarazisë. Gratë dhe vajzat po preken në mënyra të ndryshme dhe disproporcionale nga dhuna dhe nga ndikimet ekonomike, afatgjata, për shka të krizave të përshkallëzuara. Në disa vende ekstremistët dhe aktorët ushtarakë kanë marrë pushtetin me forcë duke anuluar angazhimet e mëparshme për barazinë gjinore dhe duke i persekutuar gratë edhe gjatë përditshmërisë së jetës modeste që po bëjnë. Barazia e grave është çështje pushteti, bllokimet dhe konfliktet e sotme politike, janë vetëm shembujt më të fundit se sa fuqishëm po insistojnë për të na bërë të dështojmë”, deklaroi Guterres.
Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Schmid, u shpreh se pasojat e luftës kundër Ukrainës po kërcënojnë sigurinë ushqimore dhe energjitike, ndërsa theksoi se roli i grave në ndërtimin e paqes dhe zgjidhjen e konflikteve, është prioriteti kryesor i OSBE.
“Kjo axhendë është prioritet kryesor për OSBE dhe për mua personalisht i lidhur me kohë jashtëzakonisht sfiduese. Lufta e Rusisë ndaj ukrainës ka një ndikim shkatërrues mbi civilët dhe infrastrukturën dhe është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me aprimet thelbësorëe që mbështesin rendin e sigurisë së SHBA dhe atë globale. Pasojat e luftës kundër ukrainës po kërcënojnë sigurinë ushqimore dhe energjitike”, tha Schmid.
Po ashtu, ambasadorja e BE për çështjet gjinore dhe diversitetin, Stella Ronner-Grubačić,vuri theksin te nevoja për më shumë vëmendje dhe përfshirje të grave në dialogun politik. “Me rikthimin e luftës në Evropë dhe përkundër rritjes së anashkalimit të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, është më e rëndësishme se kurrë të ruajmë dhe promovojmë vlerat e pëbashkëta dhe të mbështesim një rend shumëpalësh i bazuar në rregulla me OKB-në në thelb. Të sigurohet një pjesëmarrje e plotë, e barabartë dhe kuptimplotë e grave në dialogun politik”, deklaroi ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




