Rama dhe Abazoviç vizitojnë ekspozitën “Forever Free Ukraine”, kryeministri malazez: Tragjike ajo që pamë

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i Malit të Zi, Dritan Abazoviç gjatë vizitës së tyre në Ukrainë, pasi kanë vizituar zonat e bombarduara të Borodyanka dhe Irpin, janë ndalur edhe në Kiev, në ekspozitën “Forever Free Ukraine”, aty ku dëshmohen gjurmët e agresionit rus mbi Ukrainë, përmes ekspozimit të objekteve të luftës, sendeve personale dhe fotove të ushtarëve dhe civilëve, mes të cilëve edhe fëmijë. Në fotot e publikuara nga Kryeministri Rama, shihen lodra fëmijësh dhe këpucë ushtarësh si tregues për jetët e humbura gjatë më shumë se 3 muajve luftë nga Rusia.
Ndërkohë Abazoviç në një deklaratë për media nga Kievi ka ripërsëritur mbështetjen e Malit të Zi ndaj Ukrainës. Ai rrëfeu edhe skenat e rënda me të cilat u përball në Ukrainë, duke i cilësuar si tragjike.
“Të gjithë vlerësojnë shumë përpjekjet e Malit të Zi dhe vendeve të tjera të rajonit për të treguar solidaritet me popullin ukrainas. Ne jemi këtu për gjetjen e një zgjidhjeje në dialog, por gjëja më e rëndësishme është ndalimi i sulmeve, agresionit dhe vrasjes së civilëve. Është tragjike ajo që pamë dhe dëgjuam. Duhet të jemi krenarë për qytetarët e Malit të Zi që zgjodhën paqen. Paqja nuk ka çmim, paqja është gjithçka që na nevojitet. Gjëja më e rëndësishme është të jetojmë në paqe, ky është supozimi më i rëndësishëm i çdo gjëje”, tha kryeministri malazez për RTCG.
Më pas, Kreu i qeverisë dhe homologu i Malit të Zi do të priten në një takim nga Presidenti Volodymyr Zelensky, takim ky që do të pasohet nga një Konferencë e përbashkët për shtyp. Po ashtu, kryeministri Rama do të zhvillojë takim edhe me Kryeministrin ukrainas dhe më pas me Kryebashkiakun e Kievit Vitali Klitschko.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




