Ambasadorja Kim takon Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj: Presim të vazhdojmë bashkëpunimin

Politikë | 4 vite më parë

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ka zhvilluar këtë të martë (14 qershor) një takim me Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj. Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, Ambasada e SHBA shkruan se takimi i u zhvillua te Pallati i Brigadave, ku Kim e uroi Begajn për zgjedhjen e tij si President i ardhshëm i Shqipërisë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara presin të vazhdojnë bashkëpunimin me të në detyrën e tij të re.

Po ashtu Ambasadorja Kim ka vlerësuar edhe kontributin e Begajt në forcimin e marrrdhënieve SHBA-Shqipëri gjatë kohës që ai ka shërbyer si Shef i Shtab, veçanërisht gjatë stërvitjes ushtarake Defender Europe 2021.

“Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua sot me Presidentin e zgjedhur Bajram Begaj në Pallatin Presidencial (Pallati i Brigadave) në Tiranë. Ajo e uroi atë për zgjedhjen e tij si President i ardhshëm i Shqipërisë dhe përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin me padurim të vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer me të në detyrën e tij të re. Ambasadorja Kim e falënderoi atë për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si Shef i Shtabit, veçanërisht gjatë stërvitjes ushtarake Defender Europe 2021 dhe vuri në dukje se ajo pret shumë takime të tjera me Presidentin e zgjedhur Begaj gjatë presidencës së tij të ardhshme”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Bajram Begaj u zgjodh President me 78 vota pro në raundin e katërt të votimit që u zhvillua më 4 qershor, ndërsa do të marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik, kur i mbaron mandati Presidentit aktual, Ilir Meta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme