Dixhitalizimi i shërbimeve bankare, Ahmetaj: 95% janë online, privati mbetet ende mbrapa! Bëra kurs për të përdorur e-albania

Politikë | 4 vite më parë

Pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për të dixhitalizuar shërbimet bankare për të shmangur radhët e gjata në to, kanë nisur procesi nga grupet e punës për konsultimet dhe përcaktimin e hapave që do të ndiqen. Nën konferencën “Dixhitalizimi kundrejt parasë fizike”, ku ishte i pranishëm zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe përfaqësues të sistemit bankar, fokusi u vu te dixhitalizimi i shërbimeve bankare dhe që ekonomia e Shqipërisë në të ardhmen të mos varet nga paraja cash por shërbimet të jenë më të lehta dhe pranë qytetarëve pa pasur nevojë e prezencës së tyre fizike.

Ahmetaj tha se qeveria ka bërë një punë mjaft të mirë në dixhitalizimin e shërbimeve publike, ku 95 % e tyre tashmë kryhen online, ndërsa shprehu habinë se pse kjo gjë nuk ndodh edhe në shërbimet e privatit. Ahmetaj tha se sistemi bankar është mbrapa me dixhitalizimin dhe kërkoi më shumë punë dhe investime nga ana e tyre.

“Praktikisht sot në Shqipërinë e 4 viteve të fundit në pjesën e shërbimeve publike ka realisht një revolucion dixhital. Kur e nisi kryeministri në një mbledhje qeverie ne 2018 kishte shumë mendje skeptikë sepse me ambicien e atij momentit ishte një vizion të shihje përtej murit. Sot 95% e shërbimeve publike janë të dixhitalizuara. Por fokusi është si ta përdoresh këtë shtrat dixhitalizimi që ndihmon qeverinë dhe qytetarin dhe në aspektin ekonomik dhe teknologjik e çon Shqipërinë në një tjetër hap në atë që i referohemi si global standard. Në të njëjtën kohë debate sa i përket dixhitalizimit tani ka kaluar në anën tjetër të ekonomisë. Debati është a po e ndjek sektori privat këtë temp që ka patur qeveria. Cila është arsyeja që sistemi bankar që ka kaq shumë mendje dhe kaq shumë burime, nuk ka mundur të vendosi përpara qeverisë një non-paper për harmonizimin e proceseve te qeverisë dhe tyre. Sistemi bankar është shumë mbrapa”, tha Ahmetaj.

Dixhitalizimi i shërbimeve bankare do të bëhet përmes e-albania, ku vetë Ahmetaj  tha se i është dashur të bëjë një mini-kurs për ta mësuar se si përdoren të gjitha shërbimet që ajo ofron.

“Ka një debat që ka të bëjë me platformën e përbashkët me e-albania. Kjo më përfshinte edhe mua deri në 1 vit e gjysmë para dhe bëra një kurs për të përdorur e-albania, për ta përdorur atë më thjesht. Edhe ju që jeni avangard në teknologji nuk e dini se çfarë ofron ajo platformë që është shembull në teknologji në rajon. Për këtë arsye do ju kërkoj të mos jeni siç jeni zakonisht pak konservator kur në horizont të ekonomisë shfaqet një mundësi e re. E di që jeni në bashkëpunim me AKSH-in dhe MF për përdorimin e platformës së AKSH dhe pagesave”, tha Ahmetaj.

Në fillim të muajit maj 2022 kryeminatori Rama bëri të qartë se situatës “ku thërret qameti” në bankat e nivelit të dytë në vend do i vij fundit pasi të gjitha shërbimet do të ofron online, duke u lënë bankave vetëm stresin e njerëzve që kërkojnë kredi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme