Arrestimi i Kajmakut, Alibeaj: PD e denoncoi me fakte aktivitetin kriminal, Rama e mbrojti!

Kreu i Grupit Parlamentar i PD, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për arrestimin nga policia italiane për trafikim të lëndëve narkotike të ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Alibeaj shkruan se kur PD denoncoi aktivitetin kriminal të Kajmakut në Greqi kryeministri Edi Rama, e mbrojti dhe e justifikoi.
Ai shprehet se sipas tij të gjitha denoncimet e PD për të inkriminuarit e Ramës janë vërtetuar dhe se arrestimi i Kajmakut është prova më e qartë.
“E mbani mend kur Edi Rama thoshte “Gimi është si puna ime”? E kishte fjalën për Agim Kajmakun, ish-kryetar i bashkisë Vorë, sot i arrestuar në Itali për trafik droge.
Kur PD e denoncoi me fakte aktivitetin kriminal të Kajmakut në Greqi, Rama e mbrojti, e justifikoi dhe e ia fshehu drejtësisë sa mundi. Nuk hoqi dorë asnjëherë prej sojit si ai, madje atë e përfshiu së fundmi edhe në zgjedhjet e 6 marsit në Vorë!
Kurioz jam të dëgjoj se çfarë do thotë sot shefi i Rilindjes, për një trafikant droge që e bëri kryetar bashkie, siç bëri shumë të tjerë, deputetë e drejtues të lartë të pushtetit të tij. Nuk pres as të skuqet e as të zverdhet, sepse është i nxirë faqje të gjithëve nga raportet e DASH dhe ODHIR! Me shumë gjasë sot, Edi Rama i zënë prapë mat, do zgjedhë kodin mafioz të heshtjes!
Denoncimet e PD në të gjitha rastet për të inkriminuarit e tij janë vërtetuar dhe është provuar se pushteti i tij, është pushtet i marrë me kriminelë e trafikantë droge dhe me votat e non gratave të tij. Agim Kajmaku është prova më e qartë për këtë. Edi Rama erdhi në pushtet me ndihmën e krimit që blenë e mblodhën vota për Rilindjen, dhe vazhdon të qëndrojë në pushtet me votat e krimit e të non gratave“, shkruan në postim Alibeaj.
Ish kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është arrestuar nga policia italiane pasi u kap me lëndë narkotike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




