Berisha: Rama ka vendosur monizmin në Shqipëri! Do formojmë frontin më të fuqishëm opozitar

Kryetari i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka vendosur monizmin në Shqipëri. Në një konferencë për mediat, Berisha tha se sot të gjitha pushtetet janë në duart e kreut të qeverisë, ndërsa bëri thirrje për formimin e një fronti opozitar për t’u përballur, siç tha ai, me regjimin e Ramës, ku kërkoi t’i bashkohen të gjitha forcat politike opozitare.
“Në Shqipëri vendoset monizmi i plotë. Sot në Shqipërinë moniste të gjitha organizatat joqeveritare kontrollohen nga qeveria dhe rrjetet e sponsorizuara nga organizatat e George Sorors. Të gjitha mediat kontrollohen nga ajo që mund të quhet qeverisje censuruese e Edi Ramës. I bëjmë thirrje shqiptarëve të ngrihen për të shpëtuar Shqipëriën nga regjimi monist i Edi Ramës. Zgjidhja është në duart e vetë qytetarëve. Shembja e sistemit të kalbur monist arrihet me vendosmëri dhe guxim dhe me ngritjen e një opozite të fortë. PD bën thirrje se është kritike krijimi i një fronit opozitar të gatshëm për t’u përballur me regjimin e Ramës. Fronti është krijimi i një fronti të përbashkët me të gjitha forcat politike opozitare dhe individët apo organizatat e shoqërisë civile që duan të angazhohen për shpëtimin e Shqipërisë. Do bëjmë çdo gjë që të krijojmë frontin më të fuqishëm kundër Ramës”, tha Berisha.
Ai hodhi akuza edhe në drejtim të Kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Taulant Ballës, se ka patur lidhje me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumanin.
“Ai duhet të tregojë si e shpërbleu Dumanin për ta shpëlarë nga akti i vendosjes së revoles… I ka kërkuar të marrë pjesë në fushatën e tij elektorale dhe ky i ka thënë jo. E ka vënë revolen në një vend ku e shinin të gjithë dhe shkoi Policia ta kapte. 5 vetë janë në burg për të dhe kjo është drejtësi qesharake. Po si do fshihte kush në një vend të dukshëm një revole krimi? Ky ishte përgjim inkriminues sepse nuk pranoi të bënte fushatë për të. Tao nuk e ka punë mirë, do ketë probleme me drejtësinë”, akuzoi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




