Velipojë-Ulqin, 73 herë më afër, projekti i urës mbi Bunë! Rama: Kjo është fryma e ‘Open Balkan’! Abazoviç: Të ecim para

Në Ohër është prezantuar projekti mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, për të ndërtuar një urë që do të lidhë Velipojën me Ulqinin duke shkurtuar distancën me 73 herë. Grupet e punës kanë prezantuar detajet e projektit që do të kushtojë 9 milionë euro në prani të kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij të Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Projekti që do të prezantohet në gusht, ndërsa ndërtimi i këtij projekti do të zgjasë 18 muaj.
Të dy kryeministrat shprehën bindjen se puna nuk duhet të ngec, pasi ky projekt do të sjellë zhvillim të turizmit, shkurtim të distancës dhe zhvillim rajonal. Rama tha se pikërisht ky projekt tregon frymën më të mirë të konceptit të ‘Ballkanit të Hapur’, ndërsa tha se shpreson që në korrik të zhvillojë një vizitë në Malin e Zi.
“Kjo tashmë është e qarte, pasi ekipi ka punuar për alternativa të ndryshme. Duhet t’ju përcjellim projektin e detajuar. Njerëzit tuaj duhet të bien dakord për buxhetin. Pala juaj nga ana tjetër do bëjë dhe oponencën teknike. Fondi Shqiptar i Zhvillimit i ka paratë, pasi ata mund t’i transferojnë paratë për vitin tjetër buxhetor pa kufizim. Le ta bëjmë. Do të jetë fantastike. Më duhet të shtojë dhe diçka, për ata që s’e dinë. Tashmë po ndërtojmë rrugën turistike Shëngjin-Velipojë, që do e bëjë rrugën nga Ulqini deri në Shëngjin shumë të shkurtër. Zhvillim po, për edhe shumë komunikim që do të përmirësohet për shkak të kësaj. S’duhet të grindemi se e kujt qe ideja më e mirë, por t’i zbatojmë këto ide. Kjo është fryma e Ballkanit të Hapur. Gjithçka tjetër që njerëzit mund të thonë, s’ka problem, por kjo është fryma. Pres me padurim që t’ju vizitoj në Malin e Zi, me shpresë në Korrik. Dhe më pas në Gusht për projektin”, tha Rama.

Projekti i urës mbi lumin Buna
Edhe kryeministri i Malit të Zi, Abazoviç tha kjo zonë do të jetë mjaft tërheqëse për turizimin në të ardhmen dhe se projekti ka mbështetjen e tij të plotë.
“Jam i lumtur për këtë projekt. E kemi diskutuar në Tiranë verën e kaluar dhe jemi shumë pranë fillimit të punës konkrete. Mali i Zi ka caktuar një pjesë të fondit kushtuar urës, ndoshta nuk do të përdoret këtë vit. Në momentin që përfundojmë projektin e detajuar në fund të gushtit, në shtator mund të nënshkruajmë memorandumin. Jo vetëm për shkak të 73 km, por kjo zonë që prej fillesës në Ulqin deri në Velipojë mund të jetë një zonë tërheqëse në të ardhmen. Gjithkush shpreson që në këtë zonë të ofrojmë komplekse turistike. Do të jetë njësoj për të gjithë turistët. Ndaj keni mbështetjen time. Le të ecim shpejt, mos të nxjerrim ndërlikime administrative, pro të ecim”, pohoi Abazoviç.
Ura do jetë e gjatë 380 metra, me 3 harqe dhe një lartësi që lejon kalimin nën të mjeteve lundrues enë lumin Buna.

Projekti i urës mbi lumin Buna
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




