Rama: Ballkani i Hapur nuk ndalet! Do ngremë një grup të përbashkët për krizat dhe zgjidhjet konkrete

Politikë | 4 vite më parë

“Ballkani i Hapur nuk do të ndalet dhe kush heziton t’i bashkohet, thjesht humb kohë për të përfituar nga kjo nismë”, kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp në Ohër në samitin e “Ballkanit të Hapur”.

Rama tha se vendet do të ngrenë një grup të përbashkët pune për krizat dhe zgjidhjet konkrete, në një kohë që e gjithë bota ndodhet në vështirësi nga krizat e prodhuara prej luftës në Ukrainë.

“Ballkani i Hapur lindi si ideja e 3 njerëzve, por sot është i të gjithë njerëzve dhe do të jetë gjithnjë e i më shumë njerëzve. Do ngremë një grup të përbashkët për krizat dhe zgjidhjet konkrete pasi kriza mund të zgjerohet më shumë dhe kërkon qëndrueshmëri, por çdo gjë që ne mund të bëjmë për ta lehtësuar barrën falë bashkëpunimit me vendet tona, është diçka shumë e vyer në këto momente ku edhe kokrra e fundit e grurit do të ketë një peshë të madhe sa një thes me grurë. Për këtë arsye grupi ynë i përbashkët do të fillojë nga puna dhe do adresojmë përmes stacioneve të Ballkanit të Hapur, do fillojmë në gusht dhe më pas në shtator në Beograd ku do jetë stacioni i parë i ushqimeve dhe verave të Ballkanit”, tha Rama.

Ai theksoi se do të ketë edhe një sesion për sigurinë ushqimore dhe më pas për sigurinë energjetike që do të mbahet në Shqipëri. Një mesazh Rama e pati edhe për Kosovën, ku deklaroi se do të donte që pjesë e kësaj nisme të ishin 6 vende, jo 5 sa ishin sot, por theksoi se kush i kundërvihet kësaj iniciative është i destinuar të zhgënjehet.

“Do kemi edhe sesionin e sigurisë ushqimore dhe më pas për sigurinë energjetike që do e bëjmë në Shqipëri. Shqipëria është një pikë shumë e rëndësishme për rajonin nga pikëpamja e furnizimit me energji. Sot jemi 5 vende, do të dëshiroja të ishim 6, por pikërisht se është i të ardhmes, Ballkani i Hapur as nuk ndalet e as nuk mbyllet. Kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet dhe kush heziton thjesht humb kohë për të përfituar nga kjo nisëm”, u shpreh kreu i qeverisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme