‘Open Balkan’ në Ohër, Varhelyi: Paketa e investimeve prej 30 mld euro, nëse nismës i bashkohen të 6 vendet

Vetëm nëse nismës “Open Balkan” do i bashkohen të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor atëherë paketa e investimeve të BE prej 30 miliardë eurosh do të mund të jetë e plotë. Këtë mesazh bëri të qartë komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi , para se të niset drejt Maqedonisë së Veriut ku do të marrë pjesë më 8 qershor në samitin e “Open Balkan”.
Pak para nisjes për në Ohër, Várhelyi tha se bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës, i bazuar në rregullat e BE-së dhe ndërtimi i shpejtë i tregut të përbashkët rajonal përshpejtojnë integrimin në BE. Bashkimi Europian synon të financojë 30 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor për investime infrastrukturore, në shëndetësi, energji, dixhitalizimi e shumë fusha të tjera.
“Unë mirëpres shtysën e ripërtërirë nga liderët në Ballkanin Perëndimor për të avancuar në integrimin rajonal. Lufta që Rusia ka bërë në Evropë është një thirrje zgjimi për nevojën për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE, një investim gjeostrategjik në stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë Evropës. Bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës, i bazuar në rregullat e BE-së, është kyç për ta afruar Ballkanin Perëndimor me tregun e vetëm të BE-së, i cili është në qendër të prosperitetit tonë të përbashkët. Ndërtimi i shpejtë i Tregut të Përbashkët Rajonal të rënë dakord nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është thelbësor për këtë. Por gjithashtu, le të jemi të qartë, potenciali i plotë i planit tonë ambicioz ekonomik dhe investues prej 30 miliardë eurosh për të mbështetur Ballkanin Perëndimor do të përfitohet vetëm me pjesëmarrjen e plotë të 6 vendeve”, tha Várhelyi.
Pas fjalës së tij në samitin e “Open Balkan”, Várhelyi do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Nismës “Open Balkan” iu bashkua zyrtarisht edhe Mali i Zi, i cili do të përfaqësohet nga kryeministri Dritan Abazoviç. Samiti do të mbahet në Ohër, ku më 8 qershor pritet të firmohen edhe disa marrëveshje që lidhen me kulturën, turizmin dhe arsimin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




