Duka ‘ndahet’ nga PD: Dalim vetëm në zgjedhjet e ardhshme! Opozita e destabilizuar nga lufta e brendshme

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka ka deklaruar se ata kanë marrë vendimin për t’u shkëputur nga Partia Demokratike. Me anë të një postimi në Facebook, Duka shkruan se PAA do të hyjë e vetme në garën zgjedhore për pushtetin vendor të vitit 2023, jashtë koalicioneve politike. Sipas Dukës, kryesia e partisë që ai drejton ka vendosur që në zgjedhjet e 2023, PAA të prezantojë filozofinë dhe identitetin e saj si parti me fokus agrar e mjedisor.
“PAA: E vetme në garën zgjedhore për pushtetin vendor. Partia Agrare Ambientaliste do të futet në garën për zgjedhjet vendore të vitit 2023 jashtë koalicioneve politike. Kryesia e kësaj partie vendosi që në këto zgjedhje PAA të prezantojë filozofinë dhe identitetin e saj, si një parti me fokus agrar e mjedisor”, shkruan Duka.
Ndalur te situata politike në vend, Duka thotë se opozita është tërësisht e destabilizuar prej luftës të brendshme dhe se kjo e bën mjedisin politik shumë të papërshtatshëm dhe jo të qetë për votuesit.
“PAA është në një fazë riorganizimi aktualisht, dhe në vjeshtë ajo do të fillojë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për këshillat bashkiakë. Ne jemi të vetëdijshëm për situatën politike në vend. Një dominancë absolute dhe arrogante në nivel vendor, nga mashoranca socialiste dhe një opozitë tërësisht e destabilizuar nga ana organizative si pasojë e luftës së brendshme, e bëjnë mjedisin politik shumë të papërshtatshëm dhe jo të qetë për votuesit. Megjithatë, PAA do të vazhdojë të mbetet një parti opozitare, dhe me program e platformë tërësisht në interes të qytetarëve. PAA, paralelisht me riorganizimin e strukturave, po riorganizon edhe programin e saj, duke mbetur një parti e spektrit të gjelbërt, me objektiva të qartë në mbrojtjen dhe rigjenerimin e mjedisit, marrjen e masave për t’iu përshtatur ndryshimeve të klimës, mbështetjen konkrete të fermerëve, jashtë skemave subvencionuese propagandistike. Ne do të projektojmë në programin tonë jo thjeshtë mbështetjen e mbijetesës apo lëmoshës, por krijimin e mekanizmave që modernizojnë bujqësinë, rrisin prodhimin, standardet e cilësisë dhe eksportimin e prodhimit”, thotë ai.
Megjithatë Duka thekson se PAA mbetet e hapur për bashkëpunuar me forca të reja politike që do të debutojnë në një garë elektorale.
“PAA do të jetë e hapur për të koordinuar apo bashkëpunuar me lëvizje të reja, apo forca të reja politike që do të debutojnë në një garë elektorale, për të mbledhur bashkë mendime të ndryshme, forca të reja, ide novatore dhe njerëz të ndershëm, idealistë dhe atdhetarë”, përfundon postimin e tij Duka.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




