Presidenti i ri/ Sot shansi i fundit i opozitës për të propozuar kandidatë për raundin e tretë të votimit

Kjo e diel (29 maj) shënon afatin e fundit për opozitën që të propozojë një, apo disa kandidatë për kreun e ri të shtetit.
Raundi i tretë i votimit, i fundit ku Presidenti nuk mund të zgjidhet me më pak se 84 vota, do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 10:00, pasi dy të parët janë djegur prej mungesës së kandidatëve.
Megjithatë opozita dhe maxhoranca duket se nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët në këtë proces. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, akuzon maxhorancvës se nuk kanë respektuar marrëveshjen mes tyre, duke argumentuar se dakordësia ishte që emri për presidentin e ri të shkonte në Kuvend me firmat e përbashkët të demokratëve dhe socialistëve.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka deklaruar se nuk ka patur një dakordësi të tillë dhe se maxhoranca nuk do të mbështesë me votat e saj kandidatët e opozitës. Sipas Ballës, marrëveshja ishte që maxhoranca të mos dërgonte asnjë emër në tre raundet e parë të votimit, duke ja lënë në dorë opozitës. Megjithatë PS ka theksuar se nëse nuk do të gjendet dakordësia që Presidenti të zgjidhjet deri në raundin e tretë, atëherë ata do t’i japin vendit kreun e ri të shtetit në raundin e katërt të votimit.
Ilir Metës i mbaron mandati më 24 korrik, ndërsa zgjedhja e presidentit të ri kalon në 5 raunde votimesh. Në raundin e parë, të dytë dhe të tretë, kërkohet një shumicë prej 3/5, 84 vota, ndërsa në dy e tjera, të katërtin dhe të pestin, presidenti mund të zgjidhet me 71 vota.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




