Ezaurohet raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit, Balla: PS me një emër në raundin e katërt

Kuvendi ka marrë në shqyrtim raportin e Komisionit të Ligjeve të miratuar në orën 09:00 për raundin e tretë për zgjedhjen e presidentit të ri pa asnjë kandidaturë të propozuar nga deputetët e Parlamentit. Ndonëse mazhoranca vendosi që tre raundet e para t’ia linte në dorë opozitës propozimin e kandidaturave, ajo nuk depozitoi asnjë emër në Kuvend, afati për të cilat përfundoi në 29 maj ora 16:00.
Në seancën e sotme plenare votimi për raundin e tretë është konsideruar i ezauruar. Do jetë Konferenca e Kryetarëve që do të vendosë në mbledhjen e ardhshme datën për raundin e katërt të Presidentit. Ndërkohë Kreu i grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, ka deklaruar se PS do të propozojë një emër në raundin e katërt, ndërsa thekson që me këtë raund të përfundojë edhe zgjedhja e Presidenti të ri. Balla ka kërkuar komunikim me të gjithë deputetët e grupeve parlamentare opozitare për zgjedhjen e një president konsensual.
“Ne nuk do ta lëmë vendin pa president. Dëshira jonë është të dialogojmë me gjithkënd që dëshiron që bashkë me ne të ndajë përgjegjësinë e zgjedhjes së presidentit. Askush nuk mund të marrë peng procesin e zgjedhjes së presidentit. Kemi qenë në gatishmëri për të bashkëpunuar për zgjedhjen e presidentit. Besoj se kemi ardhur në momentin përmbylljes së këtij procesi. Kërkojmë komunikim dialog më të gjithë deputetët e grupeve parlamentare të opozitës. Në raundin e 4 grupi i PS do të propozojë një kandidat apo Kandidate në varësi të një procesi që ne jemi duke e vijuar që prej datës 28 prill. Kemi identifikuar dhe vazhdojmë të identifikojmë kandidaturat. Shpresoj të jetë raundi përfundimtar raundi i 4″, tha Balla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




