Bardhi thirrje Berishës: Hiq dorë nga PD, po rrezikon shpalljen non grata të partisë!

Politikë | 4 vite më parë

Deputeti i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi i ka bërë thirrje ish kryeministrit Sali Berisha të heqë dorë nga Partia Demokratike. Në një reagim në rrjete sociale, Bardhi i drejtohet Berishës të dëgjojë apelin e partnerëve ndërkombëtarë dhe të ndalë pengmarrjen e PD për interesa personale.

Kërkesa nga ana e Bardhit vjen pasi sipas tij Berisha po fut Partinë Demokratike në një rrugë pa krye, duke i rrezikuar shpalljen “non grata” në PPE.

“Sali Berisha duhet të dëgjojë apelin e partnerëve ndërkombëtar dhe të ndal pengmarrjen e PD për interesa të tij. Pas qëndrimit të qartë të SHBA, tashmë edhe partnerët europian po flasin me zë të lart për rrezikun e izolimit të PD nëse Sali Berisha vijon me projektin për marrjen peng të PD.

Parlamenti Europian në Raportin për Shqipërinë për vitin 2021 (pika 41) ka mbështetur sanksionet e SHBA për personat e shpallur nongrata për korrupsion madhor dhe i ka bërë thirrje BE-së që të vlerësojë tërësisht një përafrim të mundshëm me veprime të tilla.

Ndërkohë Gunther Krichbaum deputet i CDU/CSU në Bundestagun gjerman, dhe një mik dhe zë mbështetës i PD për shumë vite, ka bërë të qartë se: nëse PD dëshiron të bashkëpunojë në nivel ndërkombëtar, por edhe të marrë në dorë drejtimin e vendit, duhet të mos kthehet tek e shkuara.

Sali Berisha nuk mund të fshihet dhe të bëjë sikur nuk dëgjon dhe nuk kupton. Ky është momenti që të mos bëjë sikur nuk kupton se po e fut Partinë Demokratike në një rrugë pa krye, duke e izoluar ndërkombtarisht dhe duke çimentuar në këtë mënyrë regjimin e Edi Ramës, shkruan Bardhi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme