Opozita-mazhoranca gjejnë konsensus për Presidentin, Rithemelimi: Proces farsë, Alibeaj s’është i mandatur nga PD

Politikë | 4 vite më parë

Komisioni i Rithemelimit ka dalë kundër konsensusit të arritur në tryezën e diskutimeve mes opozitës dhe mazhorancës për zgjedhjen e presidenti të ri, ku në dy raundet e tjera emrat do të propozohen vetëm nga opozita. Anëtari i Rithemelimit, Luçiano Boçi tha se ky ishte një proces farsë pasi Enkelejd Alibeaj nuk është i mandatuar nga PD për të folur për Presidentin.

Lidhur me dakordësinë që opozita do të propozojë emrat për president në dy raundet e tjera, Boçi e konsideron tallje pasi nëse mazhoranca do propozojë emrat e saj në raundin e 4 dhe të 5, sipas tij, lë të kuptohet se emrat e opozitës do të rrëzohen.

“Dikush nga mazhoranca ka propozuar se opozita mund të ketë kandidat në tre raundet e para, ndërsa në raundet e tjera nuk mund të ketë. Mazhoranca që I ka votat e ruan propozimin e saj për raundet e katërt dhe të pestë. Pse duhet të ndërtojmë një proces të tillë tallës. Nga ana tjetër Kushtetuta e thotë qartë se negociatat janë tërësisht politike, jo të grupeve parlamentare. Balla, Gjiknuri dhe Spiropali janë të mandatuar nga partia ndërsa Alibeaj nuk ka asnjë mandate të dhënë nga partia apo grupi parlamentar. Për sa kohe lihet opsioni për raundin e 4 dhe 5 lihet të kuptohet që do rrëzohet, atëherë kush është thelbi i diskutimeve”, tha Boçi.

Mazhoranca dhe opozita kanë arritur dakordësinë për zgjedhjen e presidentit të ri. Në dy raundet e tjera të votimit për emrin e Presidentit të ri, propozimi do të vijë vetëm nga opozita, ndërsa mazhoranca nuk do të bëjë asnjë propozim. Nëse presidenti nuk zgjidhet në këto dy raunde me propozimet e opozitës, atëherë sipas Kushtetutës në raundin e katërt dhe të pestë presidenti zgjidhet me më shumë se gjysmën e votave të parlamentit, ku mazhorancës i lind e drejta ta zgjedhë e vetme presidentin pasi i ka votat.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme