Gara për kreun e PD, Berisha kritikon ambasadoren Yuri Kim nga Lezha: Guvernatorja dështoi të na dekurajonte

Nga Lezha, ku zhvilloi takimin e radhës me demokratët në kuadër të fushatë së tij elektorale për kreun PD, Sali Berisha nuk hezitoi të sulmonte sërish ambasadoren e SHBA, Yuri Kim.
Sipas Berishës, me deklaratat e saj, ambasadorja Kim ka tentuar të dekurajojë mbështetësit e lëvizjes së tij, por shtoi se nuk ja doli.
“Dështoi censura ndaj veprimtarisë sonë, fushatë e paimagjinueshëm propagandistike për të dekurajuar lëvizjen tonë, dështuan sulmet e qeverisë, deklaratat e përsëritura edhe të guvernatores e cila jashtë çdo lloj parimi, marrëveshje ndërkombëtare dhe kombëtare, në çdo hap të rëndësishëm që bënim, do bënte një deklaratë për t’ju dekurajuar ju. Por ne arritëm në një betejë etike, demokratike kundër autokracisë”, tha ai.
Më herët, Berisha ka akuzuar ambasadoren Yuri Kim edhe se po bën fushatë elektorale kundër tij për të caktuar kryetarin e PD-së.
Partia Demokratike do të zhvillojë zgjedhjet për kryetarin e partisë më 22 maj, ku dy kandidatët në garë janë Sali Berisha dhe Ibsen Elezi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




