Grupi parlamentar i PD-së, Alibeaj: Presidenti i ri duhet të jetë anti-komunist jo vetëm si person, por edhe si familje

Grupi parlamentar i PD-së, i drejtuar nga deputeti, Enkeljed Alibeaj, do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, duke zhvilluar negociata me shumicën parlamentare për këtë çështje. Kjo u bë e ditur për mediat nga vetë Alibeaj, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së. Por, paralelisht me përfshirjen në proces dhe negociata, Alibeaj informoi se kjo agjendë ka edhe disa kushte ndaj shumicës parlamentare.
“Ajo që unë kam thënë është se kjo mazhorancë nuk ka legjitimitetin për të vendosur për presidentin. 3 deputetë janë „Non Grata“, 2 të tjerë pas hekurave. Raporti i OSBE- ODIHR, dhe raporti i fundit i DASH, godet atë që është legjitimiteti i zgjedhjeve. Ne si opozitë e kemi thënë këtë gjë. Në raste si kjo, duhet të marrin pjesë si detyrim moral e politik për të përfaqësuar së paku gjysmën e shqiptarëve. Së dyti, të gjithë deputetët ranë dakord për gjëra shumë të rëndësishme si: e para, që të marrin pjesë në proces, për të hequr çdo lloj gjurme të hidhur të së shkuarës që i shmangeshin sfidave elektorale, për të cilat jemi bërë pishman. Eshtë e qartë për secilin nga ne që për shkak të 2008, ndryshimeve të 2008, që në raundin e 4 dhe 5 dihet që presidenti zgjidhet me 71 vota. Ka një kusht të panegociueshëm, që presidenti i Republikës së Shqipërisë që do duhet të zgjidhet, do duhet të jetë një anti- komunist. Ky vend, pas 30 vitesh, vijon me çështjen që ka turbulluar shumë mendje, “jo të shitur te Rama”, “jo të blerë”. Anti- komunist, jo ai vetëm, por e gjithë familja e tij, se kjo parti beson në vlerat e ngritjes”, tha Alibeaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




