Shqipëria dënon sulmin rus mbi spitalin në Mariupul, Xhaçka: Akt barbar!

Sulmi rus ndaj një materniteti në Mariupul ka ngjallur indinjatë botërore. Edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka dënuar sulmiin, ku sipas autoriteteve të Ukrainës, raportohet për shumë viktima. Me anë të një postim në Twitter, zonja Xhaçka e konsideron sulmin “barbar”, teksa shton se vrasja e civilëve, shkatërrimi i materniteteve, shndërrimi i infrastrukturës civile në gërmadha, janë krime që duhet të dënohen nga e gjithë bota.
Ministrja Xhaçka thekson se ka udhëzuar ekipin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që të koordinojë punën me partnerët për t’i bërë presion Rusisë që të ndalojë sulmet ndaj civilëve.
“Të tmerruar nga sulmi Rus në spitalin në Mariupol në Ukrainë . Nuk ka fjalë për të shprehur dhimbjen dhe indinjatën për këtë akt barbar. Vrasja e civilëve, shkatërrimi i materniteteve, shndërrimi i infrastrukturës civile në gërmadha, janë krime që duhet të dënohen nga e gjithë bota. Udhëzova ekipin tonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që të koordinojë punën me partnerët për t’i bërë presion Rusisë që të ndalojë sulmet ndaj civilëve”, shkruan Xhaçka.
Edhe Shtëpia e Bardhë e ka dënuar përdorimin “barbar” të forcës kundër civilëve, pasi sulmet ajrore ruse goditën një spital të fëmijëve dhe maternitetin në Mariupol të Ukrainës.
“Është e tmerrshme të shohësh këtë lloj të përdorimit barbar të forcës ushtarake kundër civilëve të pafajshëm në një shtet sovran”, tha Sekretarja për Media, Jen Psaki.
Në sulmin ajror në Mariupol janë plagosur të paktën 17 persona, tha një zyrtar ukrainas.
Ky sulm ndodhi teksa hapja e korridoreve humanitare mundësuan që civilët të evakuohen nga qytetet e rrethuara ukrainase, por marrëveshja për evakuimin e civilëve nuk është respektuar plotësisht pas vazhdimit të luftimeve.
Po ashtu edhe Vatikani e ka dënuar këtë sulm, duke e quajtur të papranueshëm.
“Bombardimi i spitaleve është i papranueshëm. Nuk ka asnjë arsye, asnjë motiv për një gjë të tillë”, tha Sekretari i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.
Ndërkaq, autoritetet në qytetin e Mariupolit thanë se dëmet ishin “kolosale”, ndërkaq presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se nën rrënoja ka edhe fëmijë. Ai e quajti këtë sulm “mizori”, teksa autoritetet ende janë duke punuar për të kuptuar numrin e saktë të viktimave.
Sipas Associated Press, dridhjet e tokës janë ndjerë dy kilometra larg ndërtesës së spitalit në Mariupol, që u godit nga një seri shpërthimesh.
Policia dhe ushtarët dolën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe në rrjete sociale u publikuan pamjet e shpëtimit të një gruaje shtatzënë, e cila ishte e gjakosur dhe po bartej me barelë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




