PS fiton bindshëm edhe në Rrogozhinë, Veliaj: “Do t’u shërbejmë qytetarëve pa diferencime, nisim menjëherë nga puna”

Partia Socialiste fitoi bindshëm edhe në Rrogozhinë, ku kandidati Edison Memolla mori 5348 vota, duke lënë kështu pas me një diferencë të thellë, kandidatin e Partisë Demokratike dhe kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, në një dalje për mediat nga selia e PS-së, tha se tashmë rezultati është i qartë dhe se në Rrogozhinë ka shumë punë për të bërë, ndërsa shtoi se të gjithë qytetarëve do t’u shërbehet pa diferencime.
“Bashkia e Rrogozhinës ka votuar në mënyrë masive për Partinë Socialiste dhe Edison Memollën. Kemi fituar mbi 60% të votave dhe më shumë se të dy kandidatët e opozitës së bashku. Dua të falenderoj me gjithë zemër të gjithë anëtarët, simpatizantët, votuesit e Partisë Socialiste në Rrogozhinë, në Lekaj, në Sinaballaj dhe në Kryevidh e Gosë. Për të gjithë ata që nuk votuan PS, u them se do u shërbejmë të gjithëve me të njëjtin përkushtim. Do të vijojmë projektet tona në Rrogozhinë, do të vendosemi në dispozicion me kohë të plotë për qytetarët e Rrogozhinës. Besoj se nuk kemi lënë asnjë hapësirë që të mendohej se një koalicion do të mundte PS. Ne duhet të ecim përpara në rrugë bashkëpunimi”, u shpreh Veliaj.
Për kundërshtarët politikë, Veliaj tha se filozofia që ka inkurajuar PS është ndryshe nga ajo e partive të tjera, që mbjellin sherr dhe konflikt.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




