Basha: Qeveria të sigurojë ushqim për shqiptarët! Të hiqet TVSH e produkteve të shportës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një dalje të posaçme nga selia e PD, kërkoi nga qeveria shqiptare që të publikojë masat që ka marrë për t’i bërë ballë ndikimeve që do të ketë lufta në ekonominë e çdo familjeje shqiptare.
“Është e qartë për të gjithë se agresioni rus kundër Ukrainës pritet të ndikojë negativisht në ekonomi, nga çmimi i drithërave e karburanteve deri te shërbimet. Prandaj kërkoj që qeveria të bëjë transparencë për gjendjen e rezervave të shtetit, për planin e masave apo masat që ka ndërmarrë. Gjendja ekonomike e shqiptarëve është e qartë për të gjithë. Më shumë se gjysma e shqiptarëve e kanë të vështirë të sigurojnë ushqimin për fëmijët e tyre. Prandaj është parësore dhe e menjëhershme detyra që Qeveria të ketë gati një plan masash që të sigurohet rezerva ushqimore dhe t’i gjendet pranë familjeve në nevojë. Duhet menjëherë marrja e masave konkrete edhe në drejtim të pasojave që do të vijnë nga rritja e çmimet të naftës. Qeveria të ulë TVSH për ushqimet e shportës dhe të heqë menjëherë taksën Rama për karburantin prej 240 lekësh”, tha Basha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




