Deputetët hetojnë koncensionarin, debat edhe në impiantin e mbetjeve të ngurta në Tiranë

Politikë | 5 vite më parë

Anëtarë të Komisionit Hetimor të Kuvendit të Shqipërisë që hetojnë impiante e mbetjeve të ngurta në tre qyteteve të vendit, kanë inspektuar impiantin e përpunimit të mbetjeve të ngurta në Sharrë të Tiranës.

Qëllimi, sipas kryetares së këtij komisioni, Jorida Tabaku, ishte që deputetët të njeheshin me këtë impiant dhe investimet e bëra deri në këtë fazë.

Edhe në këtë vepër, deputetët shprehën opinionet e tyre sa i takon inceneratorit dhe investimit të deritanishëm dhe këmbëngulën se Tirana nuk ka ende një impiant sipas projektit dhe kontratës koncensionare.

Drejtuesit teknike të kompanisë së inceneratorit shpjeguan në detaje projektin dhe realizimin e deritanishëm të investimit që ka arritur në 30 për qind të planit të investimit dhe treguan se nga marrja e detyrës dhe vendimi përkatës në dhjetor  të vitit 2020 kanë në dispozicion gjashtë vite për të përfunduar plotësisht impiantin.

Deputetët e majtë anëtarë të këtij komisioni u mjaftuan vetëm me ndjekjen nga afër të shpjegimeve të drejtuesve teknikë dhe më pas u larguan, ndërsa anëtarët e djathtë të komisionit hetimor debatuan gjatë më drejtuesin teknik të punimeve, duke kërkuar që të ishte i pranishëm në këtë inspektim edhe administratori i kompanisë.

Trajtimi i mbetjeve në Tiranë ka një kosto totale rreth 32 miliardë lekë dhe kapacitet përpunues 550-800 ton/ditë.

Masterplani i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2018-2032 i Shqipërisë tregon do të duhen më shumë se €500 milion për të zbatuar një sistem të integruar të menaxhimit të mbetjeve në standardet e BE-së.

Shifrat e fundit nga INSTAT tregojnë se Shqipëria depoziton 80% të mbetjeve shtëpiake në landfill. Më pak se 18% riciklohet dhe më pak se 1% digjet.

Në katër vitet e fundit, Integrated Energy B.V ka përfituar nga buxheti rreth 4.5 miliardë lekë, ndërsa për tre vitet në vazhdim, parashikohen pagesa totale në vlerën e rreth 5.1 miliardë lekëve.

Qarku i Tiranës kryeson me vlerën më të lartë të sasisë së mbetjeve urbane për banor me 4.7kg/person/ditë i ndjekur nga Qarku Fier me 1.3 kg/person/ditë, Qarku Gjirokastër me1 kg/person/ditë, Qarku Vlorë me 0.9 kg/person/ditë, etj.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme