Schütz: Të bindur për suksesin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Politikë | 5 vite më parë

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Zyrën e Jashtme Federale Gjermane, Susanne Schütz uroi sot Shqipërinë për anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në periudhën 2022-2023.

“Me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për 2022/2023, Susanne Schütz, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Zyrën e Jashtme Federale Gjermane, uroi Shqipërinë për anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, thuhet në një njoftim të ambasadës gjermane në Tiranë.

Schütz shpreh bindjen se “Shqipëria do të lulëzojë në promovimin e multilateralizmit, ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, qeverisjen e mirë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike, të cilat janë kaq të rëndësishme për të gjithë ne”.

Nga 1 janari 2022, Shqipëria ulet si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën kohore 2022-2023.

Duke filluar nga 1 janari 2022, Shqipëria do të ulet për dy vjet rresht në një nga pesëmbëdhjetë ulëset e organit të OKB për menaxhimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për vendin tonë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme