“Personat e padëshiruar”, administrata amerikane ka shpallur mbi 200 persona, nuk ka tërhequr asnjë vendim dhe nuk ka kërkuar ndjesë!

Ambasada amerikane në Tiranë ka hedhur më shumë dritë sot rreth çështjes së shpalljes së personave të padëshirueshëm nga DASH. Në një status në facebook, ambasada shkruan se administrata amerikane ka emërtuar si të tillë mbi 200 persona, nuk ka tërhequr asnjë vendim dhe nuk ka kërkuar ndjesë.
Statusi i ambasadës amerikane vjen pasi një ditë më parë ish kreu i PD dhe ish kryeministri Sali Berisha, tashmë i shpallur “person i padëshiruar” replikoi me Departamentin Amerikan të Shtetit, pasi ky i fundit hodhi poshtë akuzat e bëra nga ish-kryeministri ndaj ambasadores amerikene, Yuri Kim. Berisha tha se kritikat që ka përdorur ndaj ambasadores, Yuri Kim nuk janë sulme, por kritika. Interpretimi i tyre si sulme nuk është i drejte pasi është formë e pastër bullizmi diplomatik, ka thënë ai. Berisha këmbëngul se Sekretari Amerikan i Shtetit, Blinken është i dezinformuar nga lobim korruptiv i kryeministrit Edi Rama, sipas Berishës, duke e quajtur një rast unik në të gjithë botën shpalljen ‘non grata’. “Për hir të transparencës të paraqisni në gjykatë ku unë kam ngritur padi për shpifje çdo fakt, provë apo dokument që ju apo cilido individ apo institucion mbi tokë disponon për të faktuar akuzën dhe vendimin tuaj absolutisht pa baza”, shkruan Berisha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




