Berisha sulmon Eskobarin dhe Kimin

Politikë | 5 vite më parë

Ish kryeministri dhe ish kreu i PD Sali Berisha ka sulmuar ashpër zyrtarë të lartë amerikanë, pasi DASH e shpalli atë dhe familjen e tij të padëshirueshëm në SHBA. Duke e konsideruar veten e tij pro amerikan, Berisha tha në kuvendin e jashtëzakonshëm kombëtar se ata janë vegla të Sorosit.

Duke u ndalur tek deklarimet e fundit të  zyrtarit të lartë amerikan, Gabriel Escobar, Berisha tha se qendrimet e tij në Tiranë nuk përfaqësojnë ato të shtetit amerikan, por mafien e George Soros.
Berisha sulmoi dhe ambasadoren Yuri Kim.“Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim po sillet si guvernatore. Njësoj si ish-ambasadori sovjetik në Tiranë dikur. Dy perandori si nata me ditën. Përfaqësuesi i shtetit lëshon lëvdata pafund për narkoshtetin. A vijnë këto nga shteti amerikan? Jo këto vijnë fund e krye nga mafia e George Soros. Një ditë në maj të këtij viti DASH shpall Sali Berishën non-grata 8 vite pasi ishte larguar nga çdo rol.” tha Berisha.

I dërguari special i Presidentit të SHBA, Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili vizitoi pak ditë më parë Tiranën, ka folur lidhur me sanksionet dhe shpalljen ‘non grata’ të politikanëve në Shqipëri dhe rajon. Eskobar theksoi se do të ndëshkohen me ‘non grata’ dhe sanksione ekonomike jo vetëm liderët, por edhe kompanitë që i mbështesin. “Sanksionet zbatohen për individë dhe politikanë që duhet të jenë personalisht të përgjegjshëm. Ne i kemi këto akte të gatshme në tavolinë të shoqëruara me mjete, sanksione ekonomike që mund të vendosen kundër liderëve, por edhe ndaj atyre kompanive që i mbështesin ata”- ka thënë ai.

Ai kujtoi se në Shqipëri  janë shpallur 3 politikanë, Sali Berisha, Tom Doshi, Vangjush Dako, po ashtu edhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme