Sekretari i Përgjithshëm i PD, Bardhi: Çdo vendimmarrje më 11 dhjetor është nul

Gazment Bardhi, skanon situatën nga konfirmimi masiv për Kuvendin e 18 Dhjetorit deri tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet dhe nismat e Foltores: Mitingu i datës 11 nuk prodhon dot vendime kundër institucioneve legjitime të PD. Në një intervistë dhënë për TCh, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se Kuvendi i 18 dhjetorit ka marrë një konfirmim masiv nga delegatët dhe baza e partisë, ndërsa e quan miting Kuvendin e thirrur nga Berisha më 11 dhjetor. Bardhi thotë se çdo vendim i Kuvendit të thirrur nga Berisha është nul dhe pa efekte ligjore, që nuk shqetësojnë institucionet legjitime të PD.
“Në 11 dhjetor në kullën e stadiumit Air Albania në Pallatin e Kongreseve apo në çdo vend tjetër, çdo person, qoftë ky edhe një edhe një deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka të drejtën e tij për të thirrur një miting, por Kuvendi Kombëtar i PD-së mblidhet në datën 18 dhjetor ora 11.00 në Pallatin e Kongreseve. Ai është Kuvendi Kombëtar i PD-së, Kuvendi i demokratëve, ku çdo demokrat që e do PD-në, do që ta shikojë fituese PD-në, i do të mirën dhe mbron interesin e PD-së, do të marrë pjesë në Kuvendin e saj kombëtar të datës 18. Nuk besoj se mitingu i datës 11 do të mund të prodhojë ndonjë vendimmarrje apo çështje që do të duhet të kenë shqetësim institucionet legjitime të PD-së, aq më tepër që në datën 18 mblidhet Kuvendi dhe do të marrë të gjitha vendimet ndaj cilitdo që me veprimet apo mosveprimet e tij, me aktet apo aksionin e ndërmarrë, ka vendosur të dëmtojë interesin politik dhe elektoral të PD-së”, tha Bardhi.
Ai u pyet mbi deklaratat për një shkarkim të mundshëm të Lulzim Bashës, që i quajti “libra”.
“Cilido është i lirë të shkruajë libra, të mbajë shënimet e tij, por këto shënime apo këto libra, nuk përbëjnë Kushtetutën e PD-së. Kushtetuta e PD-së miratohet dhe ndryshohet sipas një procedure të caktuar nga Kuvendi Kombëtar i PD-së që mblidhet më 18 dhjetor”, tha Bardhi.
Pyetjes sa delegatë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin e 18 dhjetorit, Sekretari i Përgjithshëm i PD iu përgjigj: “Dua t’ju siguroj që sipas informacioneve të përcjella nga secila degë e Partisë Demokratike, numri i anëtarëve pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar të datës 18 do të jetë më shumë se pjesëmarrja në Kuvendin e fundit të Kuvendit Kombëtar të PD-së, atë të datës 17 Korrik”, vijoi ai.
Numri 2 i Partisë Demokratike nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë pyetjes nëse ka negociata mes Bashës e Berishës, por foli për interesa të ndryshme.
“Në këtë moment mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës ka interesa të ndryshme. Interesi i Lulzim Bashës është mbrojtja e interesit të Partisë Demokratike, mbrojtja e interesit të demokratëve, ndërkohë që nga ana tjetër, interesi i vetëm i Sali Berishës është mbrojtja e interesit të tij personal dhe përdorimi i partisë për një problem apo hall të tij personal. Në këtë mënyrë nuk mund të përputhen dy këto interesa, sepse interesi i demokratëve dhe i Partisë Demokratike do të duhet të prevalojë mbi çdo interes personal, qoftë ky edhe interesi personal i Sali Berishës”, u shpreh ai.
Partia Demokratike ndan një qëndrim tjetër nga Presidenti Ilir Meta sa i takon vendimit të Gjykaatës Kushtetuese për shpalljen e moskompetencës për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.
Deri në pjesën ku shprehen rezerva për pjesën e përmbajtjen e vendimit, PD bashkohet me Presidentin Meta, por ndahen të përgjegjësitë. Ndërsa Presidenca foli për një vendim të paracaktuar të Gjykatës Kushtetuese, që përdori Venecian si justifikim, PD bën përgjegjës edhe Presidentin për këtë rezultat. Gazment Bardhi tha se Gjykata Kushtetuese nuk ka legjitimuar zgjedhjet, por nuk ka legjitimuar Shoqatën e Bashkive si paditëse.
“Nuk ka legjitimuar Gjykata Kushtetuese 30 qershorin, thjesht ka evidentuar që Shoqata e Bashkive nuk mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe do të duhej ta kishte vënë në lëvizje institucioni i Presidentit të Republikës”, tha ai.
Gjithsesi, edhe PD, ashtu si Presidenca thotë se në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë trajtim të thelbit të çështjes, pra nuk i ka dhënë zgjidhje, nëse zgjedhjet e 30 qershorit ishin ose jo kushtetuese. Në lidhje me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme lokale në gjashtë bashkitë pa kryetarë, Gazment Bardhi tha se PD është e gati në çdo kohë për këtë proces.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




