Berisha zbulon mesazhin që i çoi sekretarit Blinken

Politikë | 5 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha, zbuloi sot nga Tropoja se vetëm dy orë pas shpalljes “non  grata” nga DASH, i kishte dërguar një letër sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken. Ish-kryeministri zbuloi edhe pak detaje nga subjekti i letrës para demokratëve të Tropojës. Berisha u shpreh se i kishte shkruar sekretarit amerikan se kjo është një “vepër e Edi Ramës dhe George Soros”

“Pasi më shpalli non grata, i bëra letër Blinken. Pas dy orësh i bëra një letër ku i them se kjo është vepër e George Soros dhe Edi Ramës. Ndërkohë mendova gjatë e gjatë me veten  time. Cilën rrugë do të ndiqja, kisha miq shumë në të dy partitë. Të kërkoja ndihmë nga miqtë e mi që ta hiqnin atë vendim. Thashë kurrsesi. Më cenoi dinjitetin tim? Po! Atëherë do ta çoj në gjykatë për shpifje. Kjo ma thjeshtoi krejt skemën mua. Kjo ishte një betejë për dinjitetin.

Jam krenar, mbetem një admirues i SHBA. Kanë bërë më shumë se çdo komb për Shqipërinë”, tha Sali Berisha. Ish-kryeministri Sali Berisha është shpallur “non grata” nga SHBA për “korrupsion madhor” bashkë me familjen e tij. 

Berisha akuzoi Lulzim Bashën se po përpiqet që të mbledhë firmat e delegatëve të Kuvendit Kombëtar me premtime postesh drejtorash dhe zv.ministrash në kabinetin e Edi Ramës.

“Dy ditët e fundit, pengkryetari me një grusht vasalësh derdëmenësh po përpiqet të mbledhë firma duke u ofruar poste drejtorash dhe zv.ministrash në kabinetin e Edi Ramës. le t’i themi që futuni në qeveri bashkë me ta, si tradhtarë, por do t’u përmbysim së bashku me ta në një kohë sa më të shkurtër”, tha Berisha nga “Foltorja” e Tropojës.

Berisha tha se demokratët e kanë për detyrë që ta rrëzojnë atë që e quajti narkoshtet. 

“Njësoj siç përmbysëm diktaturën komuniste. Por së pari, për të realizuar këtë mision të madh duhet të shndërrohemi në opozitë të vërtetë. Pengkryetari që na çoi nga dështimi në dështim, kampion humbjesh dhe dështimesh, defaktorizoi PD. E çoi para alternativës të jetë apo të mos jetë”, u shpreh ai.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme