GJKKO rrëzon Metën, Dvorani: Koha e gjyqeve popullore ka mbaruar! Presidenca: Vendimi i padrejtë!

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka rrëzuar të martën kallëzimin e Presidentit të Republikës për ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani dhe vendosi pushimin e çështjes.
Në një prononcim për mediet, Dvorani tha se nuk ka përplasje me asnjë institucion dhe se është thjesht gjyqtar. “Nuk mendoj që më shkon mua të bëj interpretime. Kush mendon se ka përplasje i ka për vetë, unë nuk kam përplasje me askënd”, tha ai.
Në lidhje me pushimin e çështjes, Dvorani u shpreh se “është e drejta e Metës si çdo individ tjetër të këtë gjykimin dhe interpretimin e tij mbi fakte të caktuara. Unë nuk jam kurrkush të gjykojë dhe të paragjykojë atë apo kushdoqoftë. Janë institucionet ato që vendosin përfundimisht. Koha e gjyqeve popullore në Shqipëri i përket një regjimi të kaluar. Gjyqet nuk bëhen nëpër media!”.
Ndërsa, përfaqësuesi ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj u shpreh se vendimi i dhënë është i padrejtë.
“Deri më tani Presidenti i Republikës ka respektuar sekretin e Prokurorisë. Kërkesa për pushimin e kësaj çështje jemi njoftuar në fillim të nëntorit. GJKKO vendosi pushimin, por ne kërkuam mosakordim. Gjykata na njoftoi se vendimi i zbardhur do të bëhet me dije dhe tani presim çdo të ndodhë. Unë di ta ruaj sekretin. Janë parashtruar të gjitha argumentet. Cilat nga aktet që Presidenti ka dorëzuar në prokurori nuk është publike? Të gjitha janë transparente. Do e ankimojmë vendimin. Është pushuar vendimi për çështjen penale të vitit 2020, ku ishin shumë të pandehur. Presim të zbardhet vendimi i gjykatës, ne do të bëjmë atë që na lejon ligji”, tha Dervishaj.
Presidneti Meta e bëri kallëzimin e tij në SPAK më 18 shkurt të 2020-ës, ndërsa e ka akuzuar Dvoranin si shkelës të ligjit dhe të Kushtetutës.
Ardian Dvorani u largua nga detyra si kryetar i KED nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi i kishte mbaruar mandati, por vazhdonte të qëndronte, me pretendimin se nuk i ishte gjetur zëvendësuesi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




