Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit nis me debate të ashpra mes palëve

Politikë | 5 vite më parë

Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit ka nisur me debate të ashpra mes palëve, ndërsa kryetari , Enkelejd Alibeaj ka tërhequr vëmendjen e mediave pasi është shfaqur me fashë në hundë dhe me maskë në fytyrë. Deputeti i PD bëri thirrje për vaksinim, por nuk sqaroi se çfarë ka ndodhur.

“Unë ju kërkoj ndjesë që do ta zhvilloj mbledhjen duke përdorur maskën. Kushdo që na sheh e na dëgjon të marrë masat për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga Covid-19 dhe pse jo, vaksinohuni të gjithë, ruani veten dhe bëhuni shembull për ata që ju rrethojnë”, tha Alibeaj

Alibeaj u ankua se asnjë institucion që i është dërguar kërkesë për informacion për zgjedhjet e 25 prillit, nuk ka kthyer përgjigje.

“61 kërkesa drejtuar bashkive, së bashku dhe me 11 kërkesa drejtuar bashkive të tjera që u kemi kërkuar informacion, kërkesat drejtuar SPAK, drejtorisë së Policisë së Shtetit, 12 kërkesa drejtuar inspektoriateve, Kadastrës, 12 ministrive, kërkesa drejtuar gjendjes civile, 4 kërkesa drejtuar OSHE, KESH, Posta Shqiptare dhe SHISH, fatkeqësisht konstatoj se nuk ka kthyer dhe nuk ka denjuar askush që të kthejë asnjë përgjigje. ”, tha Alibeaj.

Sipas tij, institucionet kanë kthyer përgjigje vetëm për pyetjet që mazhoranca ka pasur për opozitën, mbi pyetjet për strukturën e armatosur të PD-së. Shqetësimit të Alibeajt, i dha përgjigje deputetja e PS-së,Klotilda Bushka.

“Nëse ky afat është duke ecur nuk mund të themi që nuk janë përgjigjur. Të jemi objektivë dhe të mos ushtrojmë presion mbi instuticionet. Ata e dinë që duhet të kthejnë përgjigje.  Të mos nxitohemi”- tha Klotilda Bushka.

Paralajmërimin e kryetarit të Komisionit hetimor për 25 prillin, se do kallëzojë penalisht drejtuesit e institucioneve që nuk kanë kthyer një përgjigje, deputetja socialiste Blerina Gjylameti tha se nuk është aspak e drejtë. Ajo shtoi se kjo është një tregues se PD nuk do të hetojë 25 prillin.

“Na e humbët durimin në përsëritje, përsëritet kërcënim për drejtuesit e institucionit, nuk do jetë në dinjitetin tuaj kjo fjalë, e aq më tepër në dinjitetit për autoritetit tonë, Kur janë nisur dhe çfarë poste, postë prioritare, t’i lëmë institucionet të bënë punën, ne këtu nuk jemi për të kërcënuar, por për të hetuar. Ju po na bindni që s’keni ndërmend të hetimor, por të na bindni me farsës se me demek se doni të hetoni”, tha Gjylameti.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme