Çuçi e Kumbaro porosi drejtuesve të Policisë: Ndëshkim të ashpër për autorët e krimeve mjedisore.

Politikë | 5 vite më parë

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilluan një takim me drejtuesit Qendrorë, Vendorë dhe të Kufirit në Policinë e Shtetit, me fokus ndëshkimin e krimeve mjedisore.

Ministri Çuçi kërkoi nga strukturat policore klasifikimin e krimeve mjedisore, me të njëjtin prioritet si lufta ndaj krimit të organizuar, apo krimet ndaj jetës e pronës. Për çdo metër katror territor dhe dëmtim që ndodh në të, do të ketë përgjegjës dhe përgjegjësi të punonjësve të policisë. Ministri deklaroi prerë se nuk do të ketë asnjë tolerim, por ndëshkim të ashpër ligjor për ndotje të mjedisit, prerje pyjesh apo dëmtim të lumenjve.

Kumbaro nënvizoi se, përmes akteve ligjore, që janë duke u hartuar nga grupet e punës nga njëra anë dhe bashkëpunimit e koordinimit më të mirë në terren të strukturave të mjedisit, IKMT dhe Policisë së Shtetit, lufta ndaj krimeve mjedisore do të zhvendoset në një fazë të re, intensive. Në këtë angazhim do të ketë një rol më aktiv të Bashkive, si përgjegjëse për territorin, por roli i qeverisë qendrore do të jetë më i fortë në mbrojtjen e kujdesin ndaj mjedisit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano u shpreh se problematika për çështjet mjedisore qëndron. Ai tha se Policia e Shtetit, e cila zbulon ngjarje kriminale shumë të sofistikuara, i ka të gjitha kapacitetet për të gjurmuar dhe ndëshkuar edhe këtë natyrë krimi. Aktualisht strukturat vendore të Policisë janë duke u angazhuar mbi disa plane masash, për mbrojtjen më të mirë të territorit, duke u ndalur tek ndërtimet pa leje, ndotjen e mjedisit apo dëmtimin e prerjen e pyjeve.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme