Kryesia e FRPD voton kundër Bashës: Vendimi për zgjedhjen e kryetarit nul

Politikë | 5 vite më parë

Kryesia e Forumit Rinor të PD-së ka votuar në mënyrë unanime kundër thirrjes së kryedemokratit Lulzim Basha për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarin e këtij forumi. Të mbledhur me urgjencë në selinë e PD-së pas shpalljes së vendimit, kryesia e cilëson urdhrin e lëshuar nga Basha një tentativë hakmarrjeje dhe uzurpim të kompetencave.

Kreu i FRPD-së, Belind Këllici u shpreh pas mbledhjes së 100% e anëtarëve të kryesisë së forumit rinor e cilëson këtë vendim të Bashës si të pabazuar dhe që konsiderohet nul, pasi është në kundërshtim me statutin e FRPD-së, por edhe me vetë statutin e PD-së.

“Vendimi i Lulzim Bashës është nul, është i pavlerë se është antistatutor, qoftë në statutin e PD qoftë në statutin e FRPD është i pabazuar vendimi i bashës. Në asnjë nen e asnjë gërme të tij nuk flet për kompetencë të kryetarit për të shpallur zgjedhjet. Kryetari shpall vakanca, udheheq procedurat. FRPD është organizatë partnere e PD-së, kemi një statut të njëjtë me rininë e CDU-së”, tha Këlliçi pas mbledhjes.

Duke pranuar se mandati i tij ka përfunduar, Këlliçi u shpreh se zgjedhjet në FRPD janë shtyrë për shkak të përplasjeve që lindën në PD dhe së fundmi vendosën që t’i shtyjnë zgjedhjet derisa të zgjidhet situata në PD, ku tashmë janë ndarë në dy kampe në mbështetës të Berishës dhe të Bashës.

“Nuk duhet ta fusim në një konflikt të brendshëm PD me organizatat  e saj partnere Vendimi i Kryesisë së FRPD është se ne nuk e njohim, në momentin kur do të piqen kushtet për të kryer zgjedhje, unë jam i pari që do të kërkoj nisjen e procedurave. Në këto  6 vite kam drejtuar FRPD jam krenar,  për demokracinë e brendshme, ka pasur mos dakordësi, e përplasje vendimesh, e përherë vendimet merren me votë dhe me shumicë votash”, tha ai. Ndërsa sekretari i FRPD u shpreh se ky vendim për zgjedhje në FRPD ishte një hakmarrje dhe uzurpim kompetencash nga Basha, pasi nuk ka asnjë të drejtë në bazë të statutit.

Sekretari i Përgjithshëm i FRPD, Grigel Muçollari deklaroi se veprimi i ndërmarrë nga Basha shkel statutin e PD-së, ndërsa i bëri thirrje kryedemokratit që të heqë dorë nga çdo formë intimidimi ndaj anëtarëve të forumit Rinor në Kuvendin Kombëtar të PD-së.

“Veprimi i ndërmarrë nga Basha shkel rëndë statutin e PD. Ky veprim shkel stautin e PD, i tejkalon kompetencat e kryetarit. Ne e konsiderojmë si veprim të padrejtë dhe që fyen rëndë integritetin tonë, e konsiderojmë nul. I bëjmë thirrje Bashës se as tentativat e intimidimit ndaj anëtarëve të Kuvendit Kombëtar që rrjedhin nga forumi nuk do na ndalin. Nuk do lejojmë që ai të shkel statutin rregullat dhe dinjitetin tonë. I bëjmë thirrje që të tërheqë menjëherë vendimin që ka lëshuar”, tha Muçollari.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme