Spiropali: Bashkëqeverisja e konsoliduar në 4 vite, mbi 53 mijë ankesa të zgjidhura

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se Bashkëqeverisja nuk është vetëm dera që do të hapet pas çdo ankese, kërkese apo iniciative qytetare, por edhe dera që do të mbyllet për ata zyrtarë që zvarrisin apo mohojnë të drejtat dhe interesat e ligjshme të qytetarëve.
Në fjalën e saj në Kuvend duke folur për projektligjin “Për bashkëqeverisjen”, Spiropali tha se platforma do të jetësojë një mekanizëm demokratik në duart e qytetarëve.
“Bashkëqeverisja në 4 vite është konsoliduar si praktikë efikase ndërveprimi mes qytetarëve dhe institucioneve publike duke dëshmuar vlerën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm. 139,432 qytetarë, sipërmarrje e subjekte juridike pa dallim bindjesh e përkatësish politike, numërohen si përdorues e kontribuues aktivë të regjistruar nga tetori 2017 deri në tetor 2021. Nga këta kemi 53,196 raste të zgjidhura dhe 102,400 raste të shqyrtuara. Në nivelin qendror 78,804 ankesa nga të cilat janë zgjidhur 43,607 (mbi 55%) prej të cilave 1,831 raste suksesi. Nga viti 2018 deri ne vitin 2021 janë zhvilluar 42 interpelanca në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe institucionet e varësisë, te cilat kane patur ndikime direkte ne zgjidhjen e çështjeve te ngritura nga grupet e interesit, si ceshtja e naftëtarëve, ajo e fiskalizimit, ujësjellësit te Kukësit apo Interpelance për statusin e minatorit”, tha Spiropali.
“Në reflektim të rasteve të zgjidhura, për ata punonjës të administratës që kanë rezultuar pjesë e problemit, ka pasur 905 masa ndëshkimorë administrative të ndërmarra në nivele të ndryshme nga tërheqja e vëmendjes deri në largimin nga detyra. Kështu ka patur 437 Vërejtje, 117 Verejtje me paralajmerim, 279 raste largim nga detyra, 2 raste procedim penal, dhe 70 raste këshillim, tërheqje vëmendjeje, heqje e ditës së punës, zbritje në detyrë”, vijoi ajo.
“Reforma në administratë dhe inovacioni i vazhdueshëm në shërbime, janë strategji dhe prioritet absolut i qeverisë Rama. Ne jemi të vetëdijshëm që rruga për Evropë kalon nga një administratë moderne dhe e aftë, në shërbim të qytetarëve. Kemi bërë shumë rrugë nga kangjellat mbi kokën e qytetarit e peu që ia maste kokën, te një shërbim cilësor, por shumë mbetët për të bërë për ë shkulur njëherë e mirë partitizmin, nepotizmën, parazitizmin, nga administrata publike. Jemi tashmë në një rrugë të pakthyeshme drejt revolucionit dixhital dhe inovacionit në shërbime dhe këtë rruge nuk mund ta ndalim për teka apo interesa politike”, u shpreh Spiropali.
Të dhënat, sipas saj, flasin vetë.
Në vitin 2013
– 1% e shërbimeve publike online
– 14 shërbime elektronike
– 51 mijë aplikime për shërbimet publike
– 50 mijë të regjistruar në e-Albania
Sot
– 95% e shërbimeve publike online
– 1209 shërbime elektronike
– 12.5 milionë aplikime për shërbimet publike
– 2,2 milionë të regjistruar në e-Albania
2,148,407 qytetarë
160,575 biznese
Spiropali shtoi se janë kursyer për qytetarët dhe bizneset nëpërmjet digjitalizimit të shërbimeve publike 766 vite pritje në radha dhe rreth 6.5 milionë euro.
Vetëm gjatë pandemisë së Covid-19 nëpërmjet platformës e-Albania, u shërbyen 1.2 milionë qytetarë dhe biznese, u kursyen 293 vite pritje në radhë, u kursyen 1.36 milionë euro.
Projektligji për bashkëqeverisjen, sipas Spiropalit, është hartuar duke pasur si prioritet pikërisht adresimin dhe zgjidhjen e këtyre vështirësive, duke i dhënë forcë ligji marrëdhënies institucion publik – qytetar.
“Nevojiten 3 minuta për të aplikuar në platformë. Me vetëm një klikim, qytetarët kanë në dispozicion të drejtpërdrejtë çdo ministër apo titullar. Për ankesa , kërkesa, dëgjesa apo interpelanca. Të dhënat e qytetarëve apo të subjekteve që regjistrohen për E-Albania janë konfidenciale, duke iu nënshtruar mbrojtjes, ruajtjes dhe detyrimit për mospërhapje. Zyrat e marrëdhënieve me publikun përqendrohen dhe deburokratizohen. Koordinatori i Agjencisë qe do te gjendet pranë çdo institucioni, për qytetarët që nuk kanë qasje në rrjet, do te marre ankesën në formë shkresore, do ta dixhitalizojë dhe do ta përcjellë atë në formatin e duhur duke shmangur ecejaket dhe zvarritjet”, u shpreh Spiropali.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




