“Bashkëqeverisja”, Manja: Ankesa e qytetarit nuk ka mundësi të shkojë në kosh

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se ligji për bashkëqeverisjen arrin luftë sistemike kundër korrupsionit, konsolidon administratën.
Në fjalën e tij në Kuvend ku u shqyrtua projektligji “Për bashkëqeverisjen”, Manja tha se platforma arrin luftë sistemike kundër burokracisë cfilitëse, paaftësisë, korrupsionit, ryshfetit në radhët e administratës përgjatë dhënies së shërbimit ndaj qytetarit, duke e bërë këtë të fundit kontrollor të punës së administratës publike nëpërmjet instrumenteve ligjor që parashikon.
“Duke krijuar një mekanizëm të gjurmimit dhe trajtimit të ankesave që jep zgjidhje ligjore për çdo rast, ankesa e qytetarit nuk ka mundësi të mbërrijë në kosh. Pas këtij ligji çdo ankesë qytetari merr zgjidhje”, u shpreh Manja.
“Me anë të këtij ligji dhe mekanizmave që ai ofron bëhet i mundur sistemimi dhe konsolidimi i administratës duke krasitur të paaftët, duke riorganizuar strukturat dhe burimet njerëzore, pra me pak fjalë duke reformuar dhe hedhur themele të shëndosha në bazën e piramidës së administratës shtetërore”, tha ai.
Po ashtu, Manja tha se për katër vite agjencia e bashkëqeverisjes ka arritur rezultate, ku kanë gjetur zgjidhje 54 mijë ankesa.
“Pse jemi të sigurtë në suksesin e këtij ligji, sepse në katër vite duke funksionuar në bazë të një vendimi nga Këshilli i Ministrave agjencia ka pasur rezultate shumë të mira, në rreth 140 mijë raste totale të regjistruara rreth 54 mijë ankesa qytetarësh kanë marrë zgjidhje dhe rreth 900 nëpunës janë vënë përpara përgjegjësisë ligjore. Në platformën e bashkëqeverisjes vetëm në periudhën e tërmetit u zgjidh problematika e 2800 qytetarëve dhe bizneseve dhe gjatë periudhës së pandemisë u zgjidhën kërkesat e 33 mijë qytetarëve”, tha Manja.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




