Nikolla: Austria, mbështetje të fuqishme për çeljen e negociatave

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua me Presidentin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, të cilit i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të Austrisë për çeljen e negociatave.
Takimi u zhvillua gjatë qëndrimit në Athinë, në kuadrin e Konferencës Parlamentare të Këshillit të Europës.
Gjatë takimit u diskutua për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy parlamenteve si edhe kontributin e diplomacisë parlamentare në nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm.
Kryetarja Nikolla dhe Presidenti Sobotka shprehën vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Austrisë për të thelluar bashkëpunimin në nxitjen e kontributit parlamentar për konsolidimin e institucioneve demokratike, nxitjen e pjesëmarrjes politike të rinisë, modernizimin e shërbimeve parlamentare dhe aspekte të tjera.
Nikolla e falenderoi Presidentin Sobotka për kontributin dhe mbështetjen e Austrisë për procesin e çeljes së negociatave.
Sobotka shprehu angazhimin se Qeveria dhe Parlamenti i Austrisë, si edhe ai personalisht, do të vazhdojnë të mbështesin rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor si edhe mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri brenda vitit 2021.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




