Gjiknuri reagon ndaj akuzave të PD-së, se është përfshirë në aferën e shitjes së gazit nga kompania Albpetrol

Numri dy i PS-së, Damian Gjiknuri ka reaguar ndaj akuzave të lëshuara nga selia e PD-së, se ai kur ka qenë ministër i Energjetikës është përfshirë në aferën e shitjes së gazit nga kompania Albpetrol.
“Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, jo për të sqaruar “idiotët e dobishëm”, që publikojnë lajme të rreme apo sponsorizojnë ato ekonomikisht dhe politikisht, vlen sqarimi sa më poshtë: Vendburimi Cakran-Mollaj është një vendburim nafte, ku gjatë procesit të prodhimit të naftës bruto, çlirohet njëkohësisht edhe Gaz Shoqërues (Gaz me parametra të ulët). Ky gaz, në mungesë të konsumatorit, digjet rregullisht në atmosferë përmes pajisjeve speciale. “Albpetrol”, në vitin 2017, tentoi t’i jepte vlerë ekonomike këtij produkti, duke e shitur përmes një ankandi publik”, shprehet Gjiknuri me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Më tej ai shpjegon se ankandi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe çmimi u vendos në përputhje me metodologjitë e BE-së, duke marrë si referencë bursën më të madhe në Europë për gazin, Bursën e Hollandës (Dutch TTF).
“Në asnjë rast, asnjë metër kub gaz nuk është shitur nga kompania “Albpetrol” sh.a tek kompania CGC. Gazi shoqërues i vendburimit Cakran-Mollaj vazhdon të digjet në atmosferë, pasi nuk ka asnjë kompani apo person të interesuar për blerjen e tij. Kjo është fiks si historia e atyre që bërtisnin pse nuk bie këmbana e Kishës dhe në fund kuptojne se Kisha nuk kishte fare këmbanë”, thekson Gjiknuri.
Postim i plotë
Mesa duket kam nisur ta bëj mirë punën e re në parti, përderisa u rivura në shënjestër nga ata që nuk dinë të bëjnë punën e tyre! Të paktën të dinin që “Albpetroli” nuk ka shitur ndonjëherë gaz, se as blerës nuk ka. Nuk po pretendon njeri që të nxirrnin kontratën e shitjes, sepse ajo nuk ka sesi ekziston, kur shitje s’ka pasur!
Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, jo për të sqaruar “idiotët e dobishëm”, që publikojnë lajme të rreme apo sponsorizojnë ato ekonomikisht dhe politikisht, vlen sqarimi sa më poshtë:
Vendburimi Cakran-Mollaj është një vendburim nafte, ku gjatë procesit të prodhimit të naftës bruto, çlirohet njëkohësisht edhe Gaz Shoqërues (Gaz me parametra të ulët). Ky gaz, në mungesë të konsumatorit, digjet rregullisht në atmosferë përmes pajisjeve speciale. “Albpetrol”, në vitin 2017, tentoi t’i jepte vlerë ekonomike këtij produkti, duke e shitur përmes një ankandi publik.
Ankandi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe çmimi u vendos në përputhje me metodologjitë e Bashkimit Europian, duke marrë si referencë bursën më të madhe në Europë për gazin, Bursën e Hollandës (Dutch TTF). E njëjta metodologji përdoret për naftën, ku çmimi përcaktohet sipas BRENT (Bursës së Londrës).
Fituesi i Ankandit u shpall kompania CGC me çmimin 80% të bursës. Pra nuk ka një çmim fiks, por çmimi është referencë e çmimit të bursës. Gjithsesi, kompania fituese e Ankandit nuk u paraqit për të lidhur kontratën për blerjen e gazit. Në këto kushte, “Albpetrol” sh.a bëri ekzekutimin e garancisë së ofertës, duke ndjekur rrugën ligjore.
(Bashkëngjitur njoftimi për konfiskimin e sigurimit të ofertës)


Në asnjë rast, asnjë metër kub gaz nuk është shitur nga kompania “Albpetrol” sh.a tek kompania CGC. Gazi shoqërues i vendburimit Cakran-Mollaj vazhdon të digjet në atmosferë, pasi nuk ka asnjë kompani apo person të interesuar për blerjen e tij.
Kjo është fiks si historia e atyre që bërtisnin pse nuk bie këmbana e Kishës dhe në fund kuptojne se Kisha nuk kishte fare këmbanë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




