Nikolla: Avancim i reformave për procesin e integrimit në BE

Në një në një bashkëbisedim me gazetarët, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u shpreh se, “prioritet kryesor i veprimtarisë së këtij parlamenti do të jetë patjetër procesi i avancimit të reformave që lidhen me procesin integrues të Shqipërisë”.
“Besoj do të jetë legjislatura që do të ndjekë edhe çeljen e negociatave dhe bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë për anëtarësim në BE”, tha Nikolla.
“Ashtu siç do të jetë legjislatura që do të avancojë reformën në drejtësi, reformën elektorale dhe një sërë reformash të tjera që janë të rëndësishme për shtetin e së drejtës për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, për më shumë drejtësi sociale dhe për më shumë cilësi jete për qytetarët tanë”, u shpreh Nikolla.
Nikolla theksoi faktin se, “opozita i është kthyer parlamentit, është një lajm i mirë për jetën e parlamentit dhe unë e besoj që jeta parlamentare, sesionet parlamentare do të jenë shumë më të fokusuara në ato që janë problemet reale të vendit, po patjetër edhe parlamenti do të bëjë edhe detyrën e tij kryesore që është detyra e kontrollit të qeverisë për mënyrën sesa dhe si u shërben qytetarëve”.
Nikolla nënvizoi se, “kjo do të jetë një legjislaturë ku bashkëpunimi midis parlamentit të Shqipërisë dhe parlamentit të Kosovës do të marrë një rëndësi tjetër”.
Nikolla u shpreh se si kryetare e Kuvendit, “do të bëjë maksimumin jo vetëm për të qenë në lartësinë e detyrës, por për të mundësuar më shumë etikë, më shumë komunikim, më shumë transparencë. Më shumë dialog etik në të gjithë jetën e veprimtarisë së parlamentit. Patjetër që detyra e lartë, e cila më është besuar dhe jo përkatësia ime politike do të jetë udhërrëfyesi në gjithë veprimin tim në krye të parlamentit të Shqipërisë”.
“Besoj se çdo ditë e më shumë do të përforcohet dialogu i shëndetshëm dhe do të ruhet etika në të gjithë veprimin dhe në të gjithë sesionet parlamentare”, tha Nikolla.
“Edhe në komisione ne iu përgjigjëm opozitës pasi realizuam dhe verifikuam procesin e vaksinimit tek deputetët, për të pasur zhvillim të mbledhjes së komisioneve me prani fizike dhe besoj që kjo do të jetë, jo vetëm një aspekt i realizuar në kuptimin e kërkesës që erdhi nga opozita, por edhe një ogur i mirë për të përmirësuar gjithë komunikimin në jetën dhe veprimtarinë e komisioneve parlamentare”, tha Nikolla.
Kryetarja e Kuvendit bëri thirrje për vaksinim, “si rruga e vetme për të dalë nga kjo situatë e vështirë që është futur e gjithë bota, jo vetëm Shqipëria në luftë me COVID-19”.
E pyetur nëse ka një afat kur dëshiron që ta përmbyllë shtyrjen e afatit të organeve të Vetingut, Nikolla u shpreh se, “jam në krye të kësaj përgjegjësisë të lartë për të mundësuar dialogun dhe ndërveprimin, deri në votimin e ligjeve që gjykohen dhe marrin gjithë konsensusin në kuptimin e përputhshmërisë me Kushtetutën dhe me gjithë aktet e tjera”.
“Po është e vërtetë që edhe në kontaktet që kam pasur me përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së, është një kërkesë që vjen edhe prej partnerëve tanë që kanë qenë kryefjala e reformës në drejtësi. Por edhe një thirrje e bërë në ditën e parë të çeljes së punimeve të Kuvendit kur qeveria po merrte votëbesimin nga ministri i Drejtësisë, për nevojën që reforma në drejtësi ka, procesi tashmë i nisur i vettingut ka për të shtyrë afatin. Unë po jap këtu ndonjë afat të caktuar kohor, por po ju siguroj se kam të gjithë gatishmërinë për të ndërvepruar dhe për të filluar procesin e dialogut me opozitën”, theksoi ajo.
“Në informacionin që unë kam, edhe Alibeaj si eksponent i lartë i opozitës, por edhe si nënkryetar i parlamentit është shprehur që edhe opozita është e gatshëm që të ofrojë konsensusin e saj për këtë proces të rëndësishëm të përmbylljes së procesit të Vetingut”, tha Nikolla.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



