Sot nis legjislatura e re parlamentare, e paqartë prania e Berishës

Politikë | 5 vite më parë

Parlamenti shqiptar mblidhet të premten në legjislaturën e tij të re pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit që u fituan nga PS. 
Sot pritet që kuvendi të zgjedhi kryetarin e ri, që siç është bërë e ditur nga kreu i PS Edi Rama do të jetë Lindita Nikolla. Kuvendi do të duhet të bëjë edhe zëvendësimin e katër deputetëve të dorëhequr javët e fundit, pas çertifikimit të rezultateve dhe listës së deputetëve nga KQZ.  
Por zhvillimi më interesant pritet të jetë në lidhje me ish kreun e PD dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Një ditë më parë kreu demokrat Lulzim Basha bëri të ditur se  zoti Berisha nuk do të jetë më anëtar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Vendimi  i tij ka lidhje me vendimin e marrë nga DASH që ka shpallur të padëshiruar zotin Berisha dhe familjen e tij.
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se vendimi i zotit Basha “… është një vendim jashtë çdo lloj norme statutore dhe ligji të vendit. Natyrisht një vendim të tillë, një njeri që respekton parimet më elementare të një force politike të lirë dhe të një shoqërie të lirë, nuk mund ta marrë. Unë e kuptoj presionin e jashtëzakonshëm që ai ka pasur, por pavarësisht nga presioni mendoj se disa herë më parë do të konsideronte dorëheqjen e tij se sa të dorëzonte sovranitetin e PD-së” ka thënë ndër të tjera në reagimin e tij Sali  Berisha.
Megjithatë mbetet e paqartë nëse ai do të jetë i pranishëm në seancën e sotme plenare.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme