Deputeti i zgjedhur i PS-së në Durrës, Lefter Koka, lë mandatin e deputetit

Lefter Koka, deputeti i zgjedhur me Partinë Socialiste në Durrës, ka lënë mandatin e deputetit. Lajmin e bën me dije vetë zoti Koka, i cili nënkupton se ky është edhe fundi i karrierës së tij në politikë. Koka ka mbajtur më herët postin e ministrit të Mjedisit, i LSI-së. Ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit ai garoi për deputet nën siglën e PS në Durrës dhe arriti të fitojë mandatin duke u renditur i 7-ti me mbi 9 mijë vota.
“2 dekada më parë me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë. Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë. Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël. Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me rradhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre! Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë. Së fundmi, mirënjohje të madhe për mundësinë , besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm që më është dhënë t’i shërbej me përkushtim qytetit, vendit dhe njerëzve që dua! Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve.’- njofton Koka.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




