Negociatat, Santos në “Përballë”: “Shumë shpresa, që të kemi lajm të mirë në fund të vitit”

Politikë | 6 vite më parë

Raporterja e Parlamentit Evropian për Shqipërinë Isabel Santos, thotë se ende ka shpresë që vendi të çel negociatat e anëtarësimit me BE-në nën Presidencën gjermane. Në një intervistë për gazetarin Lutfi Dervishi, në emisionin “Përballë”, Santos shtoi se “Presidenca gjermane po punon që të kemi lajme të mira”.

“Ajo që unë di, dhe e pamë ministrin e jashtëm të Gjermanisë dhe shohim që Presidenca gjermane po punon shumë që të kemi lajme të mira në fund të këtij viti në dhjetor. Unë ende po pres për lajm të mirë. Nuk jam e sigurtë se çfarë do të ndodhë, siç e dini në politikë ne kurrë nuk kemi “momente të mira”. Momente të mira janë momentet kur merren vendimet. Nuk është koha për të qenë të trishtuar, ose të palumtur. Duhet të presim çfarë do të ndodhë. Unë ende kam shumë shpresa që të kemi lajm të mirë në fund të këtij viti dhe edhe nëse kjo nuk ndodh, gjatë presidencës portugeze do të punojmë shumë që kjo të ndodhë. ” – tha Santos nw Pwrballw.
Raporterja Santos i vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për të plotësuar kushtet përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare. Ndërkohë që shton se parakushti i reformës zgjedhore u arrit me marrëveshjen e 5 qershorit.

” Pa dashur të futem në debatin e brendshëm në Shqipëri, mund të them se parakushti për reformën elektorale u arrit me marrëveshjen e 5 qershorit. Ky kusht u plotësua. Çfarë ndodhi më pas me amendimet për fat të keq kjo nuk u arrit me marrëveshje politike, por kjo u arrit sipas procedurave në Parlament. Kjo është e qartë. Çfarë është e rëndësishme për raportin që po bëj dhe për Këshillin është se ky kusht është i plotësuar.” – theksoi Isabel Santos në “Përballë”. 

INTERVISTA E PLOTE

Lutfi Dervishi: Zonja Santos, mirëmbrëma dhe mirëserdhe në program.

Isabel Santos: Mirëmbrëma. Kënaqësi që po shikohemi.

Lutfi Dervishi: Ne po prisnim këtë fund nëntori dhe ndoshta në dhjetor, një lajm të mirë për Shqipërinë dhe Maqedoni për të hapur faktikisht negociatat me BE, por duket se kjo do të ndodhë në një ditë tjetër.

Isabel Santos: Nuk e di. Nuk jam e sigurtë. Ajo që unë di, dhe e pamë ministrin e jashtëm të Gjermanisë dhe shohim që Presidenca gjermane po punon shumë që të kemi lajme të mira në fund të këtij viti në dhjetor. Unë ende po pres për lajm të mirë. Nuk jam e sigurtë se çfarë do të ndodhë, siç e dini në politikë ne kurrë nuk kemi “momente të mira”. Momente të mira janë momentet kur merren vendimet. Nuk është koha për të qenë të trishtuar, ose të palumtur. Duhet të presim çfarë do të ndodhë. Unë ende kam shumë shpresa që të kemi lajm të mirë në fund të këtij viti dhe edhe nëse kjo nuk ndodh, gjatë presidencës portugeze do të punojmë shumë që kjo të ndodhë.

Lutfi Dervishi: Nëse flasim për shanset dhe ju përmendët që ka mundësi për lajme të mira, – ju besoni se shanset janë 50%, apo më shumë se 50% që muaji tjetër të sjellë lajm të mirë.

Isabel Santos: Unë nuk do të dëshiroja të bëjë këtë kalkulim. Unë jam politikane, nuk mund të them se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por jam realisht besimplotë te puna e presidencës gjermane, dhe siç e thashë nëse këto përpjekje nuk finalizohen, me presidencën portugeze që vijon ne do të punojmë  që të arrihet marrëveshja dhe të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sepse kjo është shumë e rëndësishme për vetë Bashkimin Europian.

Lutfi Dervishi: Unë e di, publiku e di që ju jeni portugeze. Po çfarë ju bën ju të besoni se një gjë që nuk e arrin presidenca gjermane do t’a arrijë presidenca portugeze?

Isabel Santos: Sepse ne tradicionalisht kemi një qëndrim shumë pozitiv sa i përket zgjerimit të BE-së. Unë ende po pres sepse ende besoj se nuk ka arsye që të mos kemi lajm pozitiv në fund të këtij viti, por nëse kushtet politike nuk e bëjnë këtë të mundur atëherë do të punojmë shumë që të kemi një përgjigje pozitive vitin e ardhshëm.

Lutfi Dervishi: Si ndiheni si parlamentare europiane që në një anë ne flasim për fqinjësi dhe zgjerim dhe në anën tjetër procesi i zgjerimit po shfrytëzohet si një instrument për të zgjidhur çështje dy palëshe si në rastin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë?

Isabel Santos: Po, nuk është gjë e mirë. Nuk është qasje pozitive sa i përket kësaj çështje që është çështje kaq e rëndësishme edhe për vetë BE-në. Por ju e shihni që në këtë kohë kaq të vështirë debatet që janë vetë në BE për çështjen e fondeve. Ndonjëherë ne jemi të ndarë në opinionet tona, por ndarjet ndonjëherë na japin mundësinë që të përmirësojmë qëndrimet tona dhe të gjejmë zgjidhje të mira. Unë jam optimiste, jam shumë optimiste veçanërisht sa i përket kësaj çështje. Mendoj se do të gjejmë një rrugë për të ecur përpara dhe për të arritur rezultate të mira.

Lutfi Dervishi: Në një anën kemi problemet që ka vetë BE, çështjet e konsensusit, por në anën tjetër janë vendet aspirante si Shqipëria. Si e vlerësoni ju përpjekjet për të plotësuar kushtet që të hapet Konferenca Ndërqeveritare?

Isabel Santos: Ka patur përpjekje të mëdha, mund ta them këtë dhe duhet të kemi parasysh që në mes të reformave patëm një tërmet dhe gjithashtu edhe pandeminë e covid dhe reformat nuk janë ndalur dhe kjo është një sinjal i mirë- një shenjë që qeveria është e angazhuar, por ajo që është më e rëndësishme është se njerëzit në Shqipëri janë optimistë për BE dhe duan të jenë pjesë e BE-së. Kjo për mua është sinjali më i rëndësishëm dhe kjo duhet të kihet mirë në konsideratë nga të gjithë vendet anëtare të BE-së dhe sigurisht ne e kemi shumë mirë parasysh këtë.

Lutfi Dervishi: Këshilli Europian vendosi 15 kushte për Shqipërinë para Konferencës së parë Ndërqeveritare dhe një nga kushtet e para është reforma elektorale. Reforma elektorale dhe vënia në funksion e gjykatës kushtetuese janë dy kushte kyçe për të hapur negociatat. Në Shqipëri, reforma elektorale është kthyer në një çështje politike, kemi marrëveshjen e 5 qershorit dhe më pas ndryshimet kushtetuese dhe tani jemi në situatën që Komisioni Venecias do të japë opinionin e tij për këto amendamente të ligjit elektoral. Si raportere për Shqipërinë si i shihni këto probleme dhe faktin që forcat politike nuk janë në gjendje që të paktën të heqin këtë kusht nga lista e kushteve?

Isabel Santos: Siç mund ta kuptoni, unë në këto momente po përgatis raportin për Shqipërinë, raporti do të bëhet publik, në ditët dhe javët e ardhshëm dhe nuk mund të paraqes raporton në një intervistë. Së pari duhet ta paraqes raportin në Parlamentin Europian te kolegët e mi. Por ajo që mund të them…

Lutfi Dervishi: .. a mund të na jepni vetëm “shijen” e këtij raporti?

Isabel Santos: Jo. e di që do ta dëshironit këtë, por siç e kuptoni nuk mund ta bëj këtë. Është çështje respekti për kolegët e mi dhe për Parlamentin Europian. Jam parlamentare prej shumë kohësh dhe e respektoj shumë institucionin e Parlamentit. Por pa dashur të futem në debatin e brendshëm në Shqipëri, mund të them se parakushti për reformën elektorale u arrit me marrëveshjen e 5 qershorit. Ky kusht u plotësua. Çfarë ndodhi më pas me amendimet për fat të keq kjo nuk u arrit me marrëveshje politike, por kjo u arrit sipas procedurave në Parlament. Kjo është e qartë. Çfarë është e rëndësishme për raportin që po bëj dhe për Këshillin është se ky kusht është i plotësuar.

Lutfi Dervishi: Por a nuk duhet të presim ende për opinionin e Komisionit të Venecias për amendimet kushtetuese për ligjin elektoral apo jo?

Isabel Santos: Po, sigurisht që duhet të presim. Është komisioni i Venecias. Unë nuk do të flas para Komisionit të Venecias.

Lutfi Dervishi: Duke para ndikimin që kanë aktorë të tjerë në rajon, si Rusia, Turqia dhe Kina. A paraqesin këto ndikime shqetësime për BE-në? Çfarë mund të bëjë BE për të frenuar këtë trend?

Isabel Santos: Ndërhyrjet e huaj në vendet tona dhe në vendet tona fqinje janë gjithmonë një motiv për t’u shqetësuar, por më lejoni të jem krejt e hapur por ajo që unë mendoj ëështë se marrëdhënit mes Shqipërisë dhe BE-së nuk po goditen, nga ndikimet e faktorëve të jashtëm. Njerëzit në Shqipëri janë njerëzit më pro europianë dhe këtë e kanë dëshmuar gjithmonë dhe veçanërisht gjatë këtyre momenteve të vështira që po kalojmë dhe dëshmojnë se janë vërtet pjesë e Bashkimit Europian dhe nga ana tjetër BE e ka dëshmuar jo vetëm me fjalë por edhe me vepra që Shqipëria është pjesë e BE-së, nuk duhet të harrojmë ndihmën që u ofrua menjëherë gjatë periudhës së tërmetit. BE reagoi menjëherë duke ofruar ndihmë. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë edhe ndihmën që BE ofroi për Shqipërinë gjatë pandemisë për të përballuar këtë sfidë të gjithë së bashku. Nga jashtë unë shoh reagimin e shqiptarëve dhe jam besim plotë se marrëdhëniet tona nuk janë të rrezikuara nga faktorët e jashtëm dhe nuk do të trondisin vullnetin e përbashkët për të ecur përpara drejt së ardhmes.

Lutfi Dervishi: Zonja Santos ju përmendët mbështjen e lartë që shqiptarët i japin BE-së. E vërtetë që shqiptarët besojnë shumë te BE. A jeni ju e shqetësuar se ky besim do të bjerë për shkak se tashmë po jetojmë në kohë të paqarta dhe të pasigurta sa i përket perspektivës së anëtarësimit të vendit në BE?

Isabel Santos: Jo, mendoj se shqiptarët i kuptojnë motivet politike që kanë disa vende, që nuk lidhen me Shqipërinë. Deri më tani nuk kemi parë reagim për procesin e anëtarësimit. Ne të gjithë jemi besimplotë te ky proces dhe jemi të gjithë të angazhuar në këtë proces. Mendoj se njerëzit në Shqipëri do të kuptojnë se çfarë po ndodh, demokracia europiane, demokracia në institucionet europiane është si demokracia në vendin tuaj, disa herë kemi mosmarrëveshje, por kemi edhe marrëveshje. E rëndësishme është se ne i tejkalojmë mosmarrëveshjet dhe gjejmë zgjidhje dhe arrijmë marrëveshje të reja. Kjo është e rëndësishme. Dhe e rëndësishme është të ecim para me procesin e anëtarësimit dhe bisedimeve.

Lutfi Dervishi: Vitin e kaluar, në muajin tetor Parlamenti Europian miratoi një rezolutë për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Si e shpjegoni ju faktin që për të tretën herë Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave pa kushte dhe ndërkohë Këshilli ka vendosur 15 kushte?

Isabel Santos: Ky ishte rezultat i konsensusit të arritur mes vendeve të ndryshme. Ky është qëndrimi dhe qasja që ka marrë Këshilli dhe unë e respektoj këtë qëndrim. Për mua gjëja më e rëndësishme është se kemi kushtet e paraqitura dhe Shqipëria duhet të përmbushë kushtet. Kushtet duhen përmbushur që Shqipëria të nisë negociatat dhe të kemi Konferencën e parë ndërqeveritare. Kjo është e rëndësishme. Gjërat e tjera nuk janë shumë të rëndësishme. Le të shohim drejt së ardhmes…

Lutfi Dervishi: Nëse flasim për vendet e Ballkanit – gjithë vendet e Ballkanit kanë një popullsi më të vogël se Rumania, një vend anëtar i BE-së. Cili është problemi? A po ndryshojnë prioritet e BE- së sa i përket zgjerimit?

Isabel Santos: Jo, jo, jo. Nuk e kam këtë perceptim. Duhet të kuptojmë se ndonjëherë disa probleme kanë qasje të ndryshme ndaj vendeve aspirante. Po e shohim këtë me Bullgarinë që ka ngritur disa kushte dhe probleme lidhur me Maqedoninë e Veriut, por mendoj se këto çështje do të sqarohen shumë shpejt dhe do të zgjidhen.

Lutfi Dervishi: Zonja Santos ju thatë se po përgatisni raportin për Shqipërinë. A keni në plan të vizitoni së shpejti Shqipërinë?

Isabel Santos: Po. Kam bërë shpesh plane për të vizituar Shqipërinë. Kam patur në plan për të vizituar Shqipërinë në muajin prill të këtij viti, por ishte e pamundur për shkak të pandemisë covid-19. U përpoqa të vija në tetor, por sërish i njëjti problem dhe po pres për kushte më të mira dhe të vij sa më shpejt që të jetë e mundur. Pavarësisht vështirësive për të ardhur unë po punoj, po punoj me shoqërinë civile, përmes takimeve on line, po bëj takime me parti politike po on- line dhe aktorë të tjerë të shoqërisë dhe në javët në vijim do të kem më shumë takime dhe dua të them se situatën në Shqipëri e ndjek ditë pas dite, sepse unë do të jem raportere për vendin tuaj deri në ditën e fundit të mandatit. Nuk jam shkëputur nga Shqipëria. Jam shumë e lidhur me Shqipërinë, jam shumë e angazhuar dhe po ndjek me shumë vëmendje situatën. Problemi është se situata lidhur me pandeminë në vendin tim po vjen duke u rënduar, situata po përkeqësohet edhe në Europë. Po pres për ditë më të mira për të udhëtuar dhe për të ardhur në Shqipëri dhe po flas për kushte minimale që të kem të mundur të udhëtoj. Në Shqipëri vij gjithmonë me kënaqësi. Këto vonesa më trishtojnë dhe shpresoj të përmirësohen  kushtet sanitare. 

Lutfi Dervishi: Izabel Santos shumë faleminderit që ishe sot në program.

Isabel Santos: Faleminderit shumë për mundësinë për të folur me njerëzit në Shqipëri. Dhe nëse më lejon dëshiroj të them disa fjalë: ne po punojmë pa u lodhur për të plotësuar kushtet dhe bërë të mundur që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt. Ne do të punojmë për këtë. Këto janë momente për të patur besim në të ardhmen dhe së bashkur do të ecim përpara dhe do të arrijmë në një të ardhme më të mirë me procesin e anëtarësimit në BE.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme