Raporti i Dick Marty, PS depoziton kërkesën në Kuvend për ngritjen e Komisionit të posaçëm

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar Kuvendit ngritjen e një Komisioni të Posaçëm mbi administrimin e dokumentacionit dhe hartimin një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty.
Raporti do të përqendrohet veçanërisht “mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të UÇK-së në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
Sipas kërkesës së dorëzuar në Kuvend që mban firmat e 18 deputetëve të PS, objektivi i Komisionit do të jetë formulimi brenda tre muajve i një raporti të detajuar mbi gjetjet e të gjithë institucioneve shqiptare mbi këtë çështje delikate.
Po ashtu, Komisionit të posaçëm parlamentar do t’i vihen në dispozicion dokumentacioni i plotë që disponojnë institucionet publike, sipas legjislacionit në fuqi lidhur me dokumentacionin zyrtar dhe atë të klasifikuar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




